Polonia kërkon prani më të madhe të trupave amerikane ndërsa Uashingtoni rishikon dislokimin në Evropë
Polonia po lobon për të pritur më shumë trupa amerikane, ndërsa Washingtoni po rishqyrton praninë ushtarake në Evropë mes tensioneve të reja me Gjermaninë dhe shqetësimeve në rritje në krahun lindor të NATO-s lidhur me Rusinë dhe luftën në Ukrainë.
Zv/ministri i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, tha se Varshava ka propozuar disa lokacione të mundshme për zgjerimin e dislokimit amerikan dhe se po zhvillon diskutime aktive me zyrtarët amerikanë pas njoftimit të Pentagonit se rreth 5.000 trupa do të tërhiqen nga Gjermania.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, Zalewski tha se çështja ishte ngritur gjatë bisedimeve të së hënës me Thomas DiNanno, nënsekretarin amerikan të shtetit për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Amerikanët e dinë se ne jemi gati. Ata e dinë se ekziston konsensus i plotë politik për këtë çështje në Poloni, gjë që është thelbësore, dhe se ushtarët amerikanë mirëpriten ngrohtësisht në vendin tonë”, tha Zalewski.
Reduktimi i planifikuar nga Pentagoni në Gjermani vjen pas një mosmarrëveshjeje publike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe kancelarit gjerman, Friedrich Merz, lidhur me konfliktin me Iranin, duke rikthyer pyetjet e kahershme mbi angazhimin e Washingtonit ndaj sigurisë evropiane gjatë administratës së dytë të Trump.
Megjithatë, zyrtarët polakë besojnë se ky ndryshim mund të krijojë një mundësi për Varshavën që të thellojë rolin e saj strategjik si qendra kryesore e ushtrisë amerikane në krahun lindor të NATO-s.
Polonia aktualisht strehon rreth 10.000 trupa amerikane në bazë rotacioni, përfshirë njësi logjistike, inteligjence dhe mbrojtjeje ajrore të shpërndara në disa baza, veçanërisht në lindje dhe juglindje të vendit.
Polonia ka zgjeruar vazhdimisht infrastrukturën ushtarake vitet e fundit dhe ka investuar ndjeshëm në mbrojtje, me shpenzime që tashmë tejkalojnë 4 për qind të prodhimit bruto të brendshëm, niveli më i lartë në NATO.
Varshava e ka paraqitur vazhdimisht veten si një nga partnerët më të afërt të sigurisë së Washingtonit në Evropë, duke e krahasuar qasjen e saj me atë që shumë konservatorë dhe zyrtarë polakë të sigurisë e shohin si kujdes të tepruar të Gjermanisë ndaj Rusisë dhe politikës së mbrojtjes.
Zalewski tha se synimi i Polonisë nuk është thjesht të zëvendësojë Gjermaninë si vend pritës i trupave, por të forcojë kapacitetet ushtarake amerikane përgjatë kufirit lindor të NATO-s.
“Një prani më e fortë amerikane në Poloni rrit sigurinë e gjithë Bashkimit Evropian”, tha ai.
Debati vjen në një moment të ndjeshëm për politikën evropiane të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, Polonia është përpjekur të pozicionohet si një shtet i vijës së parë ushtarake dhe një qendër logjistike e domosdoshme për operacionet e NATO-s në Evropën Lindore.
Presidenti Andrzej Duda dhe kryeministri Donald Tusk, pavarësisht dallimeve të thella politike të brendshme, kanë ruajtur të dy mbështetje të fortë për lidhje të ngushta ushtarake me Washingtonin.
Gjatë fundjavës, Trump dukej se mbështeti ambiciet e Varshavës, duke u thënë gazetarëve se “mund” të dërgojë më shumë trupa amerikane në Poloni.
“Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Poloninë. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me presidentin”, tha Trump.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se çdo ridislokim i madh do të varet nga rezultati i një rishikimi më të gjerë global të pozicionimit ushtarak amerikan, i cili aktualisht po zhvillohet në Washington.
Ky rishikim, që pritet të përfundojë në qershor, ka gjasa të përcaktojë shpërndarjen e ardhshme të forcave amerikane në Evropë dhe nëse Polonia do të sigurojë një prani më të madhe afatgjatë ushtarake amerikane./ AA.