Rritet presioni mbi kryeministrin britanik, Starmer - Katër ministra japin dorëheqjen
Kryeministri I Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, merr një tjetër goditje. Ministri i Shëndetësisë Zubir Ahmed është ministri i katërt që jep dorëheqjen
Dorëheqja e parë e ditës erdhi nga ministrja për Komunitetet, Miatta Fahnbulleh, e cila në letrën drejtuar kryeministrit shkroi se vendi ka nevojë urgjente për ndryshim, por “publiku nuk beson se ju mund ta udhëhiqni këtë ndryshim – dhe as unë”.
Disa orë më vonë, Jess Phillips njoftoi largimin nga posti i ministres për Mbrojtjen dhe sigurinë sociale, duke i thënë Starmer se “veprat kanë rëndësi, jo fjalët”.
Menjëherë pas saj dha dorëheqjen edhe Alex Davies-Jones, e cila i kërkoi kryeministrit “të veprojë në interes të vendit dhe të përcaktojë një afat për largimin e tij”.
Në letrën e dorëheqjes, Zubir Ahmed shkroi se është e qartë që publiku “e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme besimin te ju si kryeministër”.
Përveç ministrave, më shumë se 80 deputetë të tjerë bëjnë thirrje për të hapur garë për lidershipin e Partisë Laburiste.
Ndërsa mbi 100 deputetë laburistë kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në mbështetje të kryeministrit britanik.
Ndërkohë Shabana Mahmood, e cila mban postin e Home Secretary (Ministres së Brendshme) në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i saj dhe është “duke vazhduar punën normalisht”,
Dje, ajo ishte mes një numri ministrash të kabinetit që thuhet se i kanë kërkuar kryeministrit Keir Starmer të përcaktojë një afat kohor për dorëheqjen e tij.