Florentino Pérez shmang përgjigjen për Mourinho-n: Nuk jemi në atë fazë tër procesit
Emri i José Mourinho-s ka rikthyer spekulimet për një kthim të mundshëm te Real Madridi, por presidenti i klubit, Florentino Pérez, ka zgjedhur të mos e ushqejë këtë debat.
Gjatë konferencës urgjente për shtyp, Pérez u pyet drejtpërdrejt për mundësinë e emërimit të Mourinho-s si trajner i ardhshëm i Real Madridit, por e mbylli çështjen shpejt:
“Nuk mendoja se do të më bënit këtë pyetje… Nuk jemi në atë fazë të procesit”, u përgjigj ai.
Presidenti madrilen theksoi se aktualisht fokusi i tij nuk është te emrat e trajnerëve apo lojtarëve, por te çështjet institucionale dhe zgjedhjet e reja në klub.
“Nuk do të flas për çështje sportive. Kush dëshiron të kandidojë, le të vijë. Por nuk do të flas për trajnerë apo lojtarë”, deklaroi Pérez.
Deklarata e tij vjen në një moment kur mediet spanjolle dhe ndërkombëtare kanë shtuar raportimet për një rikthim të mundshëm të Mourinho-s në “Santiago Bernabéu”, ku ai ka punuar më parë mes viteve 2010–2013 dhe ka lënë gjurmë të forta.
Sipas këtyre zërave, portugezi shihet si një nga opsionet potenciale për të marrë drejtimin e skuadrës në të ardhmen, megjithatë Pérez nuk ka dhënë asnjë sinjal se klubi është duke shqyrtuar një lëvizje të tillë.
Ndërkohë, presidenti i Real Madridit ka përdorur konferencën për të theksuar edhe një herë qëllimin e tij për të mbrojtur strukturën e klubit dhe rolin e aksionarëve, duke u përqendruar më shumë te çështjet e brendshme sesa te aspekti sportiv.