‘Tender pa konkurrencë, dëmi miliona euro’, Lika: Në Shqipëri zgjidhen kompani që japin ofertë të lartë!
Shifrat alarmante të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) tregojnë për një dëm ekonomik që arrin në miliarda euro në vit, si pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së konkurrencës në tenderët publikë.
E ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv nën moderimin e Sonila Meços, kontabilistja Meri Lika tha se një pjesë e konsiderueshme e kësaj humbjeje i atribuohet drejtpërdrejt prokurimeve ku merr pjesë vetëm një operator ekonomik, duke eliminuar garën dhe duke favorizuar çmimet e larta.
Teksa iu referua të dhënave nga KLSH, Lika u shpreh se vetëm nga procedurat e tenderëve me një konkurrent të vetëm, humbja vjetore për buxhetin e shtetit llogaritet nga 100 deri në 150 milionë euro.
Kjo shifër rritet në mënyrë eksponenciale, theksoi ajo, duke arritur në miliarda euro, kur merret në konsideratë menaxhimi i përgjithshëm i dobët i këtyre kontratave.
Në shumë raste, shprehet kontabilistja, oferta fituese në këto tender arrin deri në 99% të fondit limit, duke mos lënë hapësirë për kursim të parave publike.
Vetëm nga informacionet që mund të marrim nga KLSH-ja, vetëm për moskonkurrim, kur nuk ka, domethënë kur tenderat janë vetëm me një konkurrent, një operator. Dhe humbja është 100 deri, 100 deri 150 milionë euro në vit. Por vetëm nga menaxhimi i keq pastaj i këtyre tenderave, humbja shkon deri në miliarda euro në vit. Sepse kemi drejtime të kostove ë? Po, në bazë të analizave. Tani unë do bëj një shpjegim fare të thjeshtë për një qytetar i cili, i cili mund të jetë duke na parë por nuk e kupton se çfarë jemi duke thënë.
Do shkojmë të blejmë një televizor ose do shkojmë të blejmë një makinë. Nëse unë shkoj tek dyqani i parë që më del përpara dhe e blej televizorin, kjo nuk do të thotë që unë kam kursyer ose kam zgjedhur më të mirin. Por nëse unë shkoj në 10 dyqane dhe zgjedh një, aty unë kam parë edhe xhepin, edhe cilësinë. Kjo mund të ndodhi dhe me një makinë. E njëjta gjë ndodh me tenderët në Shqipëri, të cilët zgjidhet i pari që vjen me një kuotë maksimale të shumës, e cila në përgjithësi është gati 99% e vlerës që është vendosur e fondit limit. Nuk ka konkurrencë, e cila mund të uli vlerën, por do rrisë dhe cilësinë.
Jo, dhe ne këtë e shikojmë përditë. Rrugë që mund të jetë e ndërtuar e re, rishtas. Kemi Thumanë - Kashar dhe rrugën Tiranë-Elbasan. Tani të dy nivelet e rrugëve dhe i shikojmë se si janë njëra nga tjetra. Kjo që është ndërtuar shumë më vonë dhe ajo që është ndërtuar që ka gati, po bën gati 20 vjet tani se po na vete 20 vjet ky kryeministër në qeveri. Vetëm në 2014-ën, sapo ka ardhur në pushtet, qeveria ka bërë 51.797 tender, prokurime. Tani duke pasur parasysh që në 2012-ën, 8.393 tender janë bërë. Rritja e tenderëve është në një mënyrë... ka pasoja sepse ulet vlera.