Vendim historik në Brazil, Corinthians-i detyrohet ta paguajë ish-lojtarin deri në moshën 75 vjeç

Një vendim gjyqësor i pazakontë në Brazil ka vendosur në qendër të vëmendjes klubin e njohur Corinthians, i cili është dënuar të paguajë një ish-futbollist deri në moshën 75-vjeçare.

Çështja lidhet me ish-lojtarin Kauê de Souza, i cili sot është 24 vjeç dhe nuk arriti kurrë të debutojë me ekipin e parë të Corinthians-it. Karriera e tij u ndërpre praktikisht për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, që sipas gjykatës së punës në Brazil është përkeqësuar nga neglizhenca e dyshuar e stafit mjekësor të klubit.

Gjykata ka pranuar padinë e ish-futbollistit, duke vlerësuar se pasojat e dëmtimit kanë ndikuar seriozisht në jetën e tij të përditshme, duke e kufizuar në aktivitete të zakonshme si ngjitja e shkallëve, ngarja e biçikletës apo aktiviteti fizik.

Përveç detyrimit për të paguar pagat e vitit 2021, që ishte edhe sezoni i fundit i kontratës së tij, Corinthians është urdhëruar të kompensojë lojtarin edhe për dëme fizike dhe morale. Megjithatë, pjesa më e rëndë e vendimit është pensioni i përhershëm invaliditeti: klubi do të duhet ta paguajë rreth 1.800 reais në muaj deri në moshën 75-vjeçare Kauê de Souza-n.

Sipas medieve braziliane, në total shuma e detyrimeve dhe dëmshpërblimeve mund të arrijë rreth 2.5 milionë reais, ose afërsisht 435 mijë euro.

Kauê de Souza ka luajtur deri në fund të vitit të kaluar me Inhumas Esporte Clube, skuadër që garon në kampionatin shtetëror të Goiás-it, duke i dhënë fund një karriere të ndikuar rëndë nga dëmtimi që ndryshoi jetën e tij sportive.