Chivu: Ndeshje e madhe, do të japim versionin më të mirë ndaj Lazios

Trajneri i Interi, Cristian Chivu, ka folur në prag të finales së Kupës së Italisë kundër Lazios, duke theksuar rëndësinë sportive dhe shoqërore të këtij takimi.

Chivu ishte i pranishëm në një takim në ‘Palazzo del Quirinale’, ku u prit nga presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella. Ai shprehu mirënjohjen për ftesën dhe vlerësoi simbolikën e vendit ku po zhvillohej takimi.

“Faleminderit për ftesën në një vend kaq simbolik. Presidenti përfaqëson shtetin italian me shumë përkushtim dhe është gjithashtu një njeri sporti. Për ne është krenari e madhe të jemi këtu për të festuar finalen e Kupës së Italisë kundër Lazios”, u shpreh trajneri i Interit.

Më tej, tekniku rumun theksoi edhe dimensionin social të futbollit, duke nënvizuar rolin që klubet kanë në shoqëri: “Shteti italian njeh vlerën sociale dhe emocionale të sportit, ndaj është një përgjegjësi e madhe për ne të jemi këtu dhe të përfaqësojmë këto vlera”.

Në fund, Chivu u ndal te finalja e madhe, duke dërguar një mesazh sportiv dhe motivues: “Duhet të jemi shembull për të gjithë fëmijët që na ndjekin. Si ne, ashtu edhe Lazio, nesër do të përballemi në një garë të madhe, ku do të japim versionin më të mirë të vetes sonë. Faleminderit, President”.