Florentino Perez thërret konferencë urgjente, Mourinho në qendër të vëmendjes te Reali

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka thirrur një konferencë për shtypin për pasditen e kësaj të marte, në një moment shumë delikat për klubin madrilen.

Në një komunikatë zyrtare, Reali bëri të ditur se Perez do të dalë para medieve pas mbledhjes së bordit drejtues të klubit, që do të zhvillohet në “Ciudad Real Madrid”. Konferenca është planifikuar të nisë në orën 18:00 sipas kohës lokale në Spanjë.

Edhe pse klubi nuk ka sqaruar arsyet e kësaj daljeje publike, mediet spanjolle raportojnë se situata aktuale te madrilenët është mjaft e tensionuar pas një sezoni zhgënjyes, ku skuadra mbeti pa trofe.

Në javët e fundit janë shtuar raportimet për probleme në dhomat e zhveshjes, madje edhe përplasje mes lojtarëve. Incidenti më i fundit përfshinte Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverdes, çka ka shtuar edhe më shumë tensionin brenda skuadrës.

Një tjetër temë që po merr vëmendje të madhe është e ardhmja e pankinës së Realit. Sipas raportimeve, José Mourinho konsiderohet favorit nga Florentino Perez për të marrë drejtimin e ekipit dhe për të zëvendësuar Álvaro Arbeloan.

Mourinho aktualisht drejton Benfica-n, por emri i tij po lidhet fort me një rikthim në “Santiago Bernabéu”, aty ku ai punoi në periudhën 2010-2013 dhe fitoi disa trofe me klubin madrilen.

 

Konferenca e Florentino Perez pritet me interes të madh, pasi mund të sjellë zhvillime të rëndësishme për të ardhmen e Real Madridit.