E ardhmja politike e Starmer nuk është e sigurt, 80 deputetë Laburistë kërkojnë dorëheqjen! Ministri i Mbrojtjes krah tij
Ka shkuar në 86 numri total i deputetëve të Partisë Laburiste që i kanë kërkuar Keir Starmer të japë dorëheqjen ose të përcaktojë një afat kohor për largimin e tij. I fundit që i është bashkuar kësaj thirrjeje është deputeti Andrew Cooper, i cili në një deklaratë tha se tani është “e rëndësishme që kryeministri të paraqesë një kalendar të qartë dhe të menduar mirë për largimin e tij”.
BBC ka numëruar deputetët që kanë bërë deklarata publike ose kanë dhënë intervista duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit ose vendosjen e një afati për largimin e tij, pas zgjedhjeve lokale të javës së kaluar.
BBC shkruan se autoriteti i kryeministrit po zbehet nga momenti në moment dhe është dobësuar edhe më shumë pas largimit të ministres Jess Phillips.
Jess Phillips dha dorëheqjen si ministre për Mbrojtjen dhe Sigurinë Sociale, duke i thënë Keir Starmer se “veprat kanë rëndësi, jo fjalët” – më shumë nga letra e saj e dorëheqjes.
Dy ministra të tjerë kanë dhënë dorëheqjen sot, ndërsa burime për BBC bëjnë të ditur se priten dorëheqje të tjera gjatë pasdites. Ndërsa ninistri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i tij, pasi portofoli i mbrojtjes “ka nevojë për një dorë të qëndrueshme”.
100 deputetë pro Starmer
Nga ana tjetër, mbi 100 deputetë thuhet se kanë firmosur një deklaratë në mbështetje të kryeministrit, duke theksuar se “nuk është koha për një garë për lidershipin”.
Më herët gjatë ditës, Starmer i tha kabinetit se do të “vazhdojë të qeverisë” dhe se nuk është hapur asnjë garë për drejtimin e partisë – megjithëse shtrohet pyetja se si mund të vihej në lëvizje një proces i tillë.
Pas mbledhjes, disa ministra të kabinetit dolën publikisht në mbështetje të tij, me aleatët e kryeministrit që deklaruan se ai gëzon “mbështetjen e tyre të plotë”. Por sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting, i konsideruar si një rival i mundshëm për lidershipin, shmangu pyetjet e gazetarëve.
Ndërkohë mes këtij sfondi kaosi politik, dita e mërkurë (13 maj) do të sjellë edhe hapjen zyrtare të Parlamentit britanik, ku Charles III do të drejtohet drejt Westminster-it për ceremoninë tradicionale të “Hapjes shtetërore të Parlamentit".
Nesër fjalimi i Mbretit në Parlament
Me presionin e madh politik që po përjeton Keir Starmer, fjalimi i Mbretit pritet të jetë një ngjarje veçanërisht e pazakontë.
Gjatë kësaj ceremonie, monarku ulet në fronin e Dhomës së Lordëve dhe lexon programin legjislativ të qeverisë, duke paraqitur ligjet e reja që planifikohen për sesionin e ardhshëm parlamentar dhe më tej.
Redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, shkruan se Starmer aktualisht nuk mund të jetë i sigurt për të ardhmen e tij politike “as për orët e ardhshme, e jo më për fatin e projektligjeve që qeveria e tij do të paraqesë nesër përmes monarkut”.
Pas fjalimit të Mbretit, deputetët debatojnë mbi përmbajtjen e tij – zakonisht për rreth gjashtë ditë.
Më pas zhvillohet votimi për miratimin e tij, dhe qeveritë shumë rrallë e humbasin një votë të tillë.
Hera e fundit kur një qeveri humbi votimin pas fjalimit të Mbretit ishte në janar të vitit 1924, kur kryeministri konservator Stanley Baldwin u detyrua të jepte dorëheqjen.