Hamburgu bën histori, Kathleen Krueger, bëhet gruaja e parë në rolin e drejtoreshës sportive në Bundesligë
Klubi i Hamburgut ka vendosur t’i besojë Kathleen Krueger-it drejtimin e projektit sportiv, duke shkruar historinë në futbollin gjerman. Ish-futbollistja dhe ish-drejtuesja e njohur e Bayernit të Mynihut është emëruar anëtare e re e bordit sportiv të Hamburgut, duke u bërë gruaja e parë që mban në mënyrë të përhershme postin e drejtoreshës sportive në historinë e Bundesligës.
Krueger, 40 vjeçe, do të zëvendësojë Stefan Kuntz-in dhe do të ketë përgjegjësinë e plotë për sektorin sportiv të klubit gjerman, i cili synon të konsolidohet në elitën e futbollit gjerman pasi siguroi mbijetesën një javë para fundit të kampionatit.
Presidenti i këshillit mbikëqyrës të Hamburgut, Michael Papenfuss, e vlerësoi Krueger-in si një figurë që bashkon “kompetencën sportive, vizionin strategjik dhe aftësitë e mëdha komunikuese”.
Pas përfundimit të karrierës si futbolliste, Kathleen Krueger iu bashkua Bayernit në vitin 2009 dhe punoi në role të ndryshme brenda klubit bavarez, duke u kthyer me kalimin e viteve në një nga figurat më të respektuara të institucionit. Në rolin e menaxheres së ekipit, ajo fitoi vlerësimin në dhomat e zhveshjes, ndërsa ish-kampioni i botës, Thomas Müller, e kishte cilësuar si “personin që mban të bashkuar skuadrën”.
Emri i saj ishte përfolur prej kohësh për rolin drejtues te Hamburgu, së bashku me Claus Costan dhe ish-drejtorin sportiv të Borussia Dortmund-it, Sebastian Kehl.
“Është privilegj të kontribuoj në të ardhmen e njërit prej emrave të mëdhenj të futbollit gjerman”, deklaroi Krueger, duke theksuar se e ka ndjekur me vëmendje rritjen e klubit në vitet e fundit.
Emërimi i saj konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm për rritjen e pranisë së grave në pozicionet drejtuese të futbollit gjerman. Vetëm pak muaj më parë, Union Berlin bëri histori duke i besuar pankinën Marie-Louise Eta, gruaja e parë që drejtoi një skuadër meshkujsh në një nga pesë kampionatet më të mëdha të Evropës.