Dembele paralajmëron Europën: PSG-ja do t’i fitojë të gjithë trofetë

Ousmane Dembélé ka dërguar një mesazh të fortë për rivalët e Paris Saint-Germain para finales së madhe të Champions League ndaj Arsenalit më 30 maj.

Ylli francez u shpreh maksimalisht i motivuar për të vazhduar dominimin me klubin parisien, teksa fitoi për të dytin vit radhazi çmimin “Lojtari i Vitit” në Ligue 1.

“Kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur. Falënderoj klubin, stafin dhe bashkëlojtarët e mi. Kjo më jep forcë për të vazhduar përpara”, deklaroi Dembele, duke shtuar më pas: “Kam ende uri për të fituar më shumë trofe”.

Francezi minimizoi suksesin individual, duke theksuar se në kampionatin francez kishte disa lojtarë që meritonin çmimin, por pranoi se votimi nga futbollistët e tjerë e bën vlerësimin edhe më special.

I pyetur nëse perceptimi ndaj tij ka ndryshuar pas fitimit të “Ballon d'Or”, Dembele u përgjigj shkurt: “Po, sepse fitova Topin e Artë”.

Sulmuesi i PSG-së u shfaq tepër i qetë dhe optimist para finales me Arsenalin, duke theksuar se skuadra do të vazhdojë përgatitjet me të njëjtin mentalitet fitues.

“Jam një konkurrues. Çdo vit nis nga zero. Ne duam të fitojmë çdo trofe të mundshëm”, përfundoi ylli francez.

PSG-ja synon ta mbyllë sezonin historikisht, ndërsa Dembele mbetet lideri kryesor i projektit parisien në garën për triumfin europian.