Ancelotti merr lajmin e hidhur, supertalenti brazilian humbet Botërorin 2026
Carlo Ancelotti ka marrë një goditje të rëndë para Botërorit. Supertalenti brazilian Estêvão Willian nuk do të jetë pjesë e Brazilit në turneun më të madh të futbollit për shkak të një dëmtimi serioz.
Sipas raportimeve të ESPN, sulmuesi 19-vjeçar i Chelsea nuk u përfshi as në listën paraprake me 55 lojtarë të dërguar nga Ancelotti në FIFA.
Estevao pësoi dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë më 18 prill gjatë humbjes së Chelseat ndaj Manchester United.
Edhe pse ekzistonte optimizëm për rikuperimin e tij, stafet mjekësore të Brazilit dhe klubit londinez nuk mund të garantonin se ai do të arrinte formën ideale për Botërorin.
Para lëndimit, ylli i ri konsiderohej si një nga emrat e sigurt për listën finale të Brazilit, sidomos pasi Ancelotti kishte shfaqur admirim të madh për talentin dhe potencialin e tij.
Problemet për Brazilin nuk mbarojnë këtu. Jashtë Kupës së Botës pritet të mbeten edhe dy yje të Real Madrid, Éder Militão dhe Rodrygo, të cilët gjithashtu po vuajnë nga dëmtime serioze.
Ndërkohë, tifozët brazilianë kanë marrë një sinjal pozitiv me rikthimin e mundshëm të Neymar në listën e zgjeruar të kombëtares.
Sulmuesi legjendar mbetet një nga opsionet që Ancelotti po shqyrton për skuadrën finale prej 26 lojtarësh.
Mungesa e disa prej yjeve kryesorë shihet si një goditje e madhe për ambiciet e Brazilit, që synon të rikthejë trofeun e Botërorit për herë të parë që nga viti 2002.