Granit Xhaka përzgjidhet në formacionin ideal të javës në Premier League

Granit Xhaka vazhdon të shkëlqejë në Premier League dhe paraqitjet e tij fantastike me Sunderland po marrin vlerësime gjithnjë e më të mëdha.

Mesfushori kosovar ishte protagonist në barazimin pa gola ndaj Manchester United, duke zhvilluar një ndeshje thuajse perfekte në mesfushë.

Xhaka ishte i pakalueshëm për lojtarët e “Djajve të Kuq” dhe kontribuoi fuqishëm që Sunderlandi të merrte një pikë të rëndësishme.

Falë performancës së tij brilante, faqja e specializuar Sofascore e përfshiu mesfushorin që përfaqëson Zvicrën në formacionin ideal të javës së 36-të në Premier League.

Veterani i mesfushës u vlerësua me notën e lartë 8.8, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar të javës.

Ish-futbollisti i Basel, Borussia Mönchengladbach, Arsenal dhe Bayer Leverkusen po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në rikthimin e tij në elitën angleze.

Paraqitjet e tij kanë bindur edhe skeptikët më të mëdhenj, ndërsa së fundmi Xhaka u shpall edhe futbollisti më i mirë i vitit te Sunderlandi.

Forma e shkëlqyer e mesfushorit ka zgjuar interesimin e disa klubeve të mëdha europiane, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i tij për të ardhmen pas këtij sezoni spektakolar.