NBA/ Lakers eliminohet nga ‘Play-Off’, fundi i një epoke për LeBron James?

Oklahoma City Thunder vazhdon marshimin drejt titullit në NBA, pasi mposhti 115-110 Los Angeles Lakers dhe siguroi kualifikimin në finalen e Konferencës Perëndimore me rezultat të përgjithshëm 4-0 në seri.

Njeriu i ndeshjes ishte sërish Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 35 pikë dhe udhëhoqi kampionët në fuqi drejt një tjetër paraqitjeje dominante në “Play-Off”.

Megjithatë, gjithë vëmendja ishte te LeBron James. Superylli 41-vjeçar e mbylli sfidën me 24 pikë dhe 12 kërcime, por nuk arriti të shmangte eliminimin e Lakersave në atë që mund të ketë qenë ndeshja e fundit e karrierës së tij legjendare.

LeBron mbetet pa kontratë për sezonin e ardhshëm dhe ende nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do të rikthehet për një sezon të 24-t në NBA apo do të vendosë t’i japë fund karrierës së jashtëzakonshme.

Në “Crypto.com Arena” nuk munguan emra të njohur të Hollywood-it si Leonardo DiCaprio, Sean Penn dhe Eddie Murphy, të cilët kishin ardhur për të parë nga afër një tjetër mbrëmje magjike të LeBronit.

Thunder tani pret fituesin e çiftit San Antonio Spurs – Minnesota Timberwolves për një vend në finalen e madhe të NBA-së.