Napoli bën ‘harakiri’ ndaj Bologna-s, duhet ende të djersisë për të siguruar Champions-in

Bologna realizon një fitore të madhe në transfertë duke mposhtur 3-2 Napolin në “Maradona”, në një ndeshje të çmendur që u vendos në minutën e 91-të. Goli vendimtar i Rowe i jep tri pikë të arta skuadrës së Vincenzo Italiano-s dhe e ndez plotësisht garën për zonën Champions në Serie A.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishte Bologna që goditi e pari që në minutën e 9-të, kur Bernardeschi realizoi një gol spektakolar pas një kombinimi me Miranda-n. Napoli u përpoq të reagonte me Alisson Santos dhe Giovane-n, por pa sukses, ndërsa Bologna ishte pranë golit të dytë me një traversë të Miranda-s.

Në minutën e 33-të, pas një ndërhyrjeje të VAR-it për një kontakt mes Di Lorenzos dhe Miranda-s, arbitri akordoi penallti, të cilën Orsolini e shndërroi në 2-0. Kur dukej se Napoli po futej në krizë, në fund të pjesës së parë Di Lorenzo ngushtoi shifrat në 2-1 pas një topi të mbetur në zonë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Antonio Conte-s e rriti ndjeshëm presionin dhe u shpërblye në minutën e 49-të, kur Alisson Santos realizoi golin e barazimit 2-2 pas asistit të Hojlund. Për një moment, Napoli mori kontrollin e lojës dhe dukej më pranë përmbysjes, ndërsa Bologna u tërhoq në mbrojtje.

Trajnerët kryen ndryshime taktike në kërkim të fitores, por verdikti erdhi në fundin e ndeshjes. Në minutën e 91-të, Castro krijoi aksionin në zonë, Miranda goditi drejt portës dhe pas pritjes së portierit Milinkovic, Rowe shënoi në akrobaci për 3-2 final.

Ky rezultat i kushton rëndë Napolit, i cili humb një “match point” të rëndësishëm për kualifikimin në Champions League dhe tani e sheh garën për vendet e para shumë më të hapur në javët e fundit të sezonit.