Premtimi i Yamal-it para tifozëve: Do të festojmë me paradë edhe Championsin
Barcelona vazhdon festën për titullin kampion në LaLiga, ndërsa protagonisti absolut i paradës së triumfit ishte edhe një herë Lamine Yamal. Talenti 18-vjeçar, i cili tashmë ka fituar tre tituj kampionë në po aq sezone me ekipin e parë të Barcelonës, ndezi entuziazmin e tifozëve me një premtim të madh për të ardhmen.
Gjatë festimeve në rrugët e Barcelonës, sulmuesi ‘blaugrana’ falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj skuadrës së Hansi Flick.
“Është diçka e pabesueshme. Ata janë gjithmonë me ne, si në ditët e mëdha ashtu edhe në ato më të vështira. Ky është klubi i jetës sonë dhe ne do të jemi gjithmonë këtu për ta, sepse i duam shumë”, deklaroi Yamal për mediet e klubit.
Megjithatë, ‘ylli’ i ri i katalanasve e bëri të qartë se nuk dëshiron të ndalet vetëm te sukseset në Spanjë. Mes atmosferës elektrizuese të paradës, ai premtoi se synimi i radhës është triumfi në UEFA Champions League.
“Duhet ta vlerësojmë çdo trofe, sepse nuk është aspak e lehtë të fitosh. Kemi kaluar vite shumë të vështira, por tani po e shijojmë këtë moment. Mendon se është një ditë e zakonshme pune në Barcelonë, por njerëzit janë sërish këtu me ne. Një paradë për Champions-in? Sigurisht që po”, u shpreh sulmuesi.
Kjo deklaratë e Lamine Yamalit ka entuziazmuar tifozët ‘blaugrana’, sidomos pasi Barcelona u eliminua këtë sezon nga Atletico Madrid në çerekfinalet e Champions-it. Edhe pas atij eliminimi, talenti spanjoll kishte paralajmëruar se trofeu më i madh europian do të rikthehet në “Camp Nou”.
Me vetëm 18 vjet mbi supe, Yamal ka fituar tashmë tri Liga, dy Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit, duke vazhduar të thyejë rekorde me fanellën e Barcelonës.