SYRI TV/ Dëshmitari te ‘Partizani’ me demencë si Balla, Tare refuzon të paraqitet në GJKKO
Ish-presidenti i Partizanit, Afrim Tola, deklaroi para gjykatës së posaçme në gjyqin ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit se ambientet e ish-klubit Partizani kanë qenë të amortizuara dhe se një pjesë e madhe e tyre ka qenë e zënë nga familjarë. Këtë të hënë janë pyetur pesë nga dëshmitarët e thirrur, dhe mes tyre ishte edhe Isa Tare. Por, njësoj si Taulant Balla, që ndonëse ka bërë kallëzimin penal nuk mbante mend pothuajse asgjë, familja e ish-drejtorit të kompleksit njoftoi gjykatën se Isa Tare vuan nga demenca.
Jamarbër Malltezi tha se ky shtetas disa kohë më parë nuk ishte me demencë kur dëshmoi kundër tij dhe dëshmia iu pranua. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, ish-presidenti i Partizanit, Albert Xhani, hodhi akuza të forta kundër Edi Ramës, që në atë kohë ishte kryetar bashkie.
“Godinat e ish-klubit Partizani kanë qenë të amortizuara dhe pjesa më e madhe kanë qenë të zëna nga familjarë,” deklaroi ish-presidenti i klubit, Afrim Tola, që dëshmoi këtë të hënë para gjykatës së posaçme në gjyqin për dosjen “Partizani”.
Mes personave që dhanë dëshmi janë Petrit Kullolli, Dhurata Çela, Albert Xhani, Afrim Tola dhe Bujar Labinoti, ndërsa për Isa Taren, familjarët kishin deklaruar se nuk mund të paraqitej pasi vuante nga demenca. Lidhur me gjendjen e pretenduar të Isa Tares, mbrojtja kundërshtoi këtë argument, ndërsa i kërkoi togave të zeza të mos pranohet dhe të rithirret për të dëshmuar, teksa gjykata tha se mbi vendimmarrjen do të shprehet në një moment tjetër.
Jamarbër Malltezi deklaroi jashtë dyerve të GJKKO-së se njësoj si Taulant Balla, edhe Tare, i thirrur si dëshmitar prej tij, shmanget, teksa vetëm tre vite më parë, shtoi ai, të njëjtit person iu pranua dëshmia në SPAK.
Ish-presidenti i “Partizanit”, Albert Xhani, bëri një deklaratë të fortë në gjykatë, me akuza të drejtëpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, që në atë kohë ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai shtoi se fillimisht prona iu duk pa pronar dhe vetëm më vonë mësoi se toka kishte 200 ose 300 të tillë.
“Kam menduar që aty nuk kishte pronar, por me kalimin e kohës kuptuam që kishte 200-300 pronarë. 15 a 20 veta nuk ishin shpronësuar. Më sollën letrën që ishte ndryshuar destinacioni. I rashë telefonit të kryetarit të Bashkisë, nuk ma ngriti. Që atë ditë, marrëdhëniet e mia me të janë vetëm përshëndetje nga larg. Shkaktari që ngelëm pa terrene sportive ishte kryetari i Bashkisë, Edi Rama.”
Malltezi komentoi deklaratën e Albert Xhanit, teksa u ndal edhe tek refuzimi i drejtësisë për të hetuar kryeministrin Edi Rama mbi firmat e tij për ndryshimin e destinacionit, duke sjellë një rast të vetëm një viti më parë nga Turqia.
Seanca e radhës u la në datë 20, ora 15:00, dhe sipas gjykatës, meqë është kohë e shkurtër, do të njoftohen vetëm dy dëshmitarë: Ylli Pango dhe Violeta Shqevi.