Të shtënat në darkën e Trump në Uashington - I dyshuar s’pranon fajësinë, deklarohet i pafajshëm

Një burrë i akuzuar për sulmin ndaj darkës së me Korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC muajin e kaluar, është deklaruar i pafajshëm.

Cole Tomas Allen, 31 vjeç, u akuzua për krime federale me armë dhe për tentativë vrasjeje të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Akuzat për armëmbajtje pa leje përfshijnë përdorimin e armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe transportimin ndërshtetëror të një arme zjarri, me qëllim kryerjen e një krimi të rëndë.

Allen u paraqit në gjykatë të hënën me një kostum portokalli dhe ishte i prangosur në kyçe dhe këmbë, sipas CBS News, partnerit amerikan të BBC-së.

Prokurorët pretendojnë se Allen u përpoq të kalonte me forcë një pikë kontrolli sigurie dhe qëlloi një të shtënë drejt një agjenti të Shërbimit Sekret të SHBA-së gjatë eventit në një hotel në Washington Hilton. Agjenti federal u qëllua në një shkëmbim zjarri, por u shpëtua nga jeleku i tij antiplumb.

Agjentët e arrestuan Allenin pak para shkallëve që të çojnë poshtë në një sallë vallëzimi ku po zhvillohej darka vjetore e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë - ku merrnin pjesë gazetarë, Trump dhe shumë zyrtarë të lartë amerikanë.

Presidenti i SHBA-së, zëvendëspresidenti JD Vance, anëtarë të kabinetit dhe një numër zyrtarësh të Shtëpisë së Bardhë u nxorën me nxitim nga salla e vallëzimit e hotelit Washington Hilton pas të shtënave me armë zjarri.

Paraqitja e Allen në gjykatë të hënën ishte hera e parë që ai u paraqit para gjyqtarit të distriktit amerikan Trevor McFadden, i cili do të kryesojë pjesën tjetër të çështjes.

Avokatët e tij i kanë kërkuar gjykatësit McFadden të skualifikojë të gjithë avokatët amerikanë në zyrën e Uashingtonit, përfshirë prokuroren amerikane për DC Jeanine Pirro nga pjesëmarrja në çështje, sipas CBS News.

Avokatët e Allen po përpiqen gjithashtu ta largojnë nga çështja Prokurorin e Përgjithshëm Todd Blanche.

Eugene Ohm, një avokat që përfaqëson Allenin, tha se ata e kishin prezantuar veten si viktima të sulmit në deklarata publike, dhe se do të ishte "krejtësisht e papërshtatshme" që dyshja të drejtonte ndjekjen penale të kësaj çështjeje.

Departamenti i drejtësisë u udhëzua t'i përgjigjej kërkesës deri më 22 qershor.

Autoritetet kanë thënë se Allen u largua nga shtëpia e tij pranë Los Angeles në Torrance, Kaliforni, më 21 prill dhe udhëtoi me tren për në Çikago, përpara se të nisej për në Uashington.

Në një memorandum të paraqitur nga qeveria amerikane muajin e kaluar, prokurorët thonë se Allen bëri foto të vetes në dhomën e tij të hotelit rreth orës 20:03, i veshur me rroba pune, si dhe një këllëf për shpatull, pinca dhe prerës teli.

Fotot e përfshira në memorandum tregonin Allenin duke pozuar para një pasqyre me disa armë të lidhura në trup, përfshirë një thikë në këllëf dhe një çantë me municione.

Ata pretenduan se gjatë gjysmës së orës në vijim, Allen kontrolloi disa faqe interneti për transmetim të drejtpërdrejtë të darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Pastaj ai zbriti shkallët dhe u drejtua drejt sallës së vallëzimit, ku po zhvillohej eventi.

Prokurorët thanë se ai vrapoi përmes një detektor metalesh, duke mbajtur një pushkë me të dyja duart në pozicion të ngritur./ BBC.