‘Po shkruani historinë’/ Berisha: Nuk pajtohemi me një kryeministër që bën gjithçka për të shpëtuar veten
Duke folur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha, iu drejtua mbështetësve të opozitës me një mesazh, duke deklaruar se qytetarët të cilët protestojnë po shkruajnë ‘një kapitull të ri’ në historinë e vendit, si shenjë kundërshtie ndaj qeverisë.
Ai tha se qytetarët nuk pajtohen me atë që e cilësoi si rikthim të praktikave të vjetra politike dhe me situatën ekonomike në vend, duke përmendur varfërimin e shqiptarëve dhe akuzat për korrupsion.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Dhe ju, sigurisht ngriheni të pamposhtur, nuk pajtoheni me një burracak, me një frikacak, që rikthen në Shqipëri skenat e 50 viteve më parë të luftës kundër kundërshtarit politik. Ndaj dhe ju mbushni bulevardin, ndaj dhe ju vini çdo javë në këtë shesh. Ju po shkruani historinë, një kapitull të ndritur të historisë sonë kombëtare, sepse nuk mund të pajtoheni kurrë me këtë vjedhje të tmerrshme, më këtë varfërim të pandërprerë të shqiptarëve.
Nuk ka ndodhur kurrë që, kryeministri për të mbrojtur vjedhjen e tij të bllokojë hetimin, të përdorë mburojë imunitetin, të nxjerrë nga arresti i shtëpisë Lindën e AKSHI-t për të mbrojtur Lindën e Surrelit, e cila ka Lindën e AKSHI-t vetëm si 'presta nome.
Ndaj dhe ju, po shkruani një kapitull të ri, sepse ju nuk pajtoheni kurrë me akte të tilla të një banditi në qeveri, të një krimineli që është i aftë të marrë çdo vendim, që është i aftë të vendosë gjithçka vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij prej krimineli, për krimet që ka kryer.
Ju po shkruani një kapitull të ri, dhe po përfaqësoni këtu ajkën e kombit, elitën e tij, po përfaqësoni dhimbjen e tij, momentet më kritike që po kalojnë shqiptarët.