U gjet pranë Lefkadas/ Droni me 100 kg eksploziv do godiste anijet ruse në Mesdhe! Dy porte nën hetim, mes tyre i Vlorës
Autoritetet greke vijojnë hetimet lidhur me mjetin lundrues pa pilot, (dron detar) të mbushur me eksploziv që u gjet pranë Lefkadës.
Skenarët rreth mënyrës se si droni detar i ngjashëm me ata të përdorur nga Ukraina, i mbushur me lëndë shpërthyese, u gjet në Lefkada kanë shkaktuar shqetësim dhe alarm serioz.
Gjatë një investigimi gazetari Yannis Sotiropoulos zbulon për STAR, përmes pamjeve dokumentare, objektivat e mundshëm të këtij mjeti.
Droni detar i gjetur në Lefkada ishte i ngarkuar me 100 kilogramë lëndë shpërthyese.
Pamjet satelitore të siguruara nga STAR tregojnë gjithashtu një flotilje ruse duke lundruar këto ditë në Mesdhe. Konkretisht, janë fiksuar pozicionet e anijeve si në jug të Kretës, ashtu edhe pranë Maltës.
Mediat ndërkombëtare dhe analistë ekspertë besojnë se anijet ruse në ujrat ndërkombëtare ishin projektuar për tu goditur me këtë dron, i cili u pikas rastësisht nga peshkatarë në Lefkada.
Flotilja e anijeve përbëhej nga tre cisterna ruse, të shoqëruara nga fregata Kasatonov, të cilat ishin nisur drejt portit të Tartus.
“Bëhet fjalë për një ‘silur’ sipërfaqësor të telekomanduar”, shpjegon për STAR eksperti i sistemeve të mjeteve pa pilot, Vangelis Xanthakis.
“Këto mjete lëvizin në zona detare të hapura, në ujëra ndërkombëtare, patrullojnë dhe marrin informacionin përkatës se në një moment do të kalojë një anije ruse. Më pas afrohen dhe e godasin. Në thelb është një silur sipërfaqësor i drejtuar”, tha ai.
Siç raportoi fillimisht STAR, mjeti lundrues pa pilot, që mbante 100 kilogramë lëndë shpërthyese — të afta për të ndarë më dysh edhe një anije të madhe — ishte një dron ushtarak i tipit ukrainas MAGURA V5.
Sipas raportimeve, autoritetet greke të sigurisë kanë vënë nën “mikroskop” dy porte: Porti i Vlorës në Adriatik në Shqipëri dhe portin e Misrata në Libinë perëndimore.
Sipas hetimeve të fundit, në Misrata, Ukraina dyshohet se mban një prani ushtarake me më shumë se 200 oficerë dhe specialistë dronësh.
Ndërkohë, Autoriteti Portual i Lefkadës po vijon hetimet paraprake me urdhër të Prokurorisë. Peshkatarët që e tërhoqën mjetin drejt portit të Vasiliki kanë dëshmuar se dy shtetas bullgarë ishin personat e parë që e panë dronin, ndërsa peshkonin me kallam pranë Kepit Cape Dukatos dhe madje ndihmuan në shkëputjen e tij.