Partitë parlamentare bien dakord për ndryshimin e rregullores së Kuvendit
Partitë parlamentare kanë rënë dakord të shtyjnë votimin në parim për propozimet mbi ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe të nisin diskutimet për të arritur një draft konsensual.
Dakordësia mes socialistëve dhe demokratëve u arrit në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të mbledhur pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi procedurën e mëparshme parlamentare.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u bëri thirrje palëve që të punojnë së bashku për ndryshime të pranueshme nga të gjitha palët politike, me synimin që rregullorja të ketë qëndrueshmëri afatgjatë.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që çdo ndryshim të bëhet me miratimin e opozitës, duke theksuar se rregullorja është baza e bashkëjetesës demokratike në Kuvend.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi ajo pranoi ankimimin e PD-së dhe shfuqizoi ndryshimet e miratuara njëanshmërisht nga mazhoranca, duke argumentuar se procedura kishte cenuar të drejtat e deputetëve, veçanërisht të opozitës.
Gjykata kërkoi që ndryshimet e reja të bëhen përmes një procesi të rregullt parlamentar dhe, mundësisht, me konsensus mes palëve politike.