Lewandowski, i sinqertë: Mund të luaj edhe në një ligë më të dobët dhe të shijoj jetën
Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga klubi katalanas, ndërsa kontrata e tij po i afrohet fundit, pasi vetëm rreth 50 ditë e ndajnë nga skadimi.
Në një prononcim për Canal Plus+ Polonia gjatë festimeve në “Camp Nou”, sulmuesi polak u shpreh se e ardhmja e tij ende nuk është vendosur dhe se do të marrë kohë para se të zgjedhë destinacionin e radhës.
“Do të shohim. Me siguri do të pres të shfaqen opsione të ndryshme dhe më pas do të vendos çfarë është më e mira për mua dhe familjen time”, deklaroi Lewandowski, duke u ndërprerë për një moment nga bashkëkombësi i tij, portieri Wojciech Szczęsny.
Sulmuesi theksoi se vendimi final do të marrë parasysh si aspektin sportiv, ashtu edhe jetën familjare. “Nuk mund t’i ndash këto dy gjëra, sepse të dyja janë të rëndësishme. Në fund bëhet fjalë për të zgjedhur atë që ndiejmë se është më e mira”, shtoi ai.
Sezon me ulje-ngritje te Barcelona
Duke bërë një bilanc të sezonit, Lewandowski pranoi se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë të mbetej titullar nën drejtimin e Hansi Flick-ut. Ai foli edhe për dëmtimet që e kanë penguar në pjesën e parë të sezonit.
“Sezoni ishte i gjatë dhe në fillim pata probleme muskulore. Një, dy dhe madje tri dëmtime të vogla më ndaluan, sidomos në fillim. Më pas më është dashur të rigjej ritmin dhe kjo kërkon kohë”, tha sulmuesi.
Në këtë sezon në La Liga, ai ka zhvilluar 28 ndeshje, ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 2 asistime.
Mundësi për një ligë më të dobët
Në një intervistë tjetër për “Eleven Sports”, Lewandowski shkoi edhe më tej duke pranuar se nuk e përjashton mundësinë për të luajtur në një ligë më pak konkurruese.
“Jam gati 38 vjeç, por ndihem mirë fizikisht. Mund të jetë momenti për të luajtur dhe për të shijuar jetën. Mund të ketë një opsion në një ligë më të dobët dhe nuk e përjashtoj këtë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ka ende pak kohë për të vendosur, por një gjë është e sigurt: nuk do të ndalet së luajturi futboll.
“Kam edhe rreth 50 ditë kontratë. Do të dëgjoj disa oferta dhe pastaj do të vendos. Një gjë është e sigurt: do të vazhdoj të luaj”, përfundoi Lewandowski.