VAR-i ‘ndezi’ sherrin, katër tifozë të arrestuar pas ndeshjes West Ham–Arsenal
Katër persona, përfshirë edhe një adoleshent, janë arrestuar pas ndeshjes së Premier League-s mes West Hamit dhe Arsenalit, e zhvilluar të dielën, në “London Stadium”, dhe e mbyllur mes polemikash të forta për shkak të një vendimi të VAR-it në minutat e fundit.
Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, arrestimet janë bërë pas përfundimit të takimit, i cili u mbyll me fitoren 1-0 të Arsenalit, por u shoqërua me tension të madh në tribuna dhe në fushë pas anulimit të një goli të West Hamit në sekondat e fundit.
Në deklaratën zyrtare të policisë thuhet se dy burra, 48 dhe 36 vjeç, janë arrestuar nën dyshimin për përleshje dhe sulm fizik. Një adoleshent është arrestuar nën dyshimin për sulm me motiv racor, ndërsa një tjetër 31-vjeçar është ndaluar për posedim të substancave të klasifikuara si “Class B”.
Të katër personat ndodhen ende në paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me klubin dhe autoritetet e stadiumit.
VAR-i në qendër të debatit
Ngjarjet u përshkallëzuan pas një vendimi të diskutueshëm të VAR-it në minutën e 95-të, ku goli i barazimit të shënuar nga Callum Wilson u anulua pas një kontrolli të gjatë për një faull të Pablo ndaj portierit David Raya në një goditje këndi.
Vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga tifozët dhe lojtarët në stadium. Autoritetet britanike kanë theksuar se do të vazhdojnë hetimet për të sqaruar të gjitha incidentet që ndodhën pas një ndeshjeje tashmë të mbushur me polemika sportive dhe tension jashtë fushe.