Simeone ‘krenohet’ me atë që i bëri Barcelonës këtë sezon: E eliminuam dy herë këtë skuadër? O Zot!

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, nuk i kurseu elozhet për Barcelonën pas fitimit të titullit nga katalanasit. Tekniku argjentinas foli në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Osasuna-s dhe deklarata e tij për Barcelonën mori menjëherë vëmendjen e medieve spanjolle.

Simeone pranoi se Barcelona e këtij sezoni është skuadra që luan futbollin më të bukur në botë dhe tha se mbeti i habitur kur mendoi se Atletico kishte arritur ta eliminonte dy herë këtë ekip gjatë sezonit.

“E kemi thënë gjatë gjithë sezonit, Barcelona është skuadra që luan futbollin më të mirë në botë. E fitoi LaLiga-n në mënyrë plotësisht të merituar, duke luajtur një futboll të jashtëzakonshëm dhe me një dominim të madh. Mbrëmë po shikoja ndeshjen dhe e vetmja gjë që thosha ishte: ‘E eliminuam dy herë këtë skuadër? O Zot!’”, deklaroi Simeone.

Trajneri i Atleticos foli edhe për fundin e sezonit dhe objektivat e mbetur të skuadrës së tij. Ai pranoi se shanset për të arritur vendin e tretë janë minimale, por skuadra do të vazhdojë të luftojë deri në fund.

“Ekziston ende një mundësi e vogël nëse ne bëjmë mirë në tri ndeshjet e mbetura dhe Villarreali humbet pikë. Vetëm atëherë do të kishim shansin të luanim gjithçka në javën e fundit”, u shpreh ai.

Simeone komentoi edhe numrin e madh të dëmtimeve në futbollin modern, duke përmendur rastin e talentit të Barcelonës, Lamine Yamal.

“Është për të ardhur keq kur lojtarë të rëndësishëm rrezikojnë të humbasin Botërorin. Futbollistët po mbërrijnë shumë të lodhur në evente kaq të rëndësishme dhe kjo duhet të analizohet seriozisht”, tha tekniku argjentinas.