Kritika ‘makiaveliste’ e një ish-lojtari ndaj Real Madridit: Ai që toleron kaosin për të shmangur luftën…
Iván Helguera publikoi një imazh të presidentit Florentino Pérez dhe Álvaro Arbeloa-s të shoqëruar me një frazë të Niccolò Machiavelli-t nga vepra “Princi”.
“AI që toleron kaosin për të shmangur luftën, fillimisht ka kaosin dhe më pas luftën”, shkroi Helguera në Instagram, duke komentuar krizën e Real Madridit pas humbjes 2-0 ndaj Barcelonës në ‘El Clasico’.
Për të mos lënë vend për dyshime, ish-mbrojtësi shoqëroi postimin me një foto të Florentino Perezit dhe Arbeloas, të cilën e ndau me më shumë se 7.600 ndjekësit e tij.
Helguera, i cili luajti për Real Madridin nga viti 1999 deri në 2007, zhvilloi 346 ndeshje zyrtare me fanellën madrilene dhe fitoi dy Champions League dhe tri tituj kampionë në Spanjë, duke u konsideruar një nga mbrojtësit më të mirë të asaj periudhe.
Kritika ironike ndaj Arbeloas
Në janar, Helguera kishte reaguar sërish ndaj vendimit të Real Madridit për të emëruar Arbeloan trajner të ekipit të parë në vend të Xabi Alonso.
Ish-futbollisti, që kishte qenë shok skuadre me Arbeloan te Reali në sezonin 2004-2005, publikoi emrin “Arbeloa” të shoqëruar me katër emoji: dy fytyra që qeshin me lot dhe dy emoji të një personi që mbulon fytyrën me dorë.
“Barcelona kujdeset për lojën, ne vetëm për fitoret”
Në mars, Helguera kishte folur edhe në podcastin “Bajo los palos” të Iker Casillas-it, ku deklaroi se largimi i Xabi Alonsos nuk kishte kuptim dhe se Arbeloa nuk ishte personi i duhur për pankinën madrilene.
Ai vlerësoi gjithashtu mënyrën si Barcelona menaxhon akademinë dhe identitetin e lojës.
“Barcelona ka një akademi fantastike dhe kjo i ka ndihmuar shumë. Real Madridi duhet të mësojë në atë aspekt. Prej shumë kohësh, përveç Asencios, nuk dalin lojtarë nga akademia e Realit dhe ky është një handikap. Barcelona kujdeset shumë për lojën, ndërsa ne kujdesemi vetëm për fitoret. Për mua është e rëndësishme që loja të lidhet me rezultatet”, deklaroi Helguera.
Ai shtoi se te Barcelona trajnerët përshtaten me filozofinë e klubit, ndërsa te Real Madridi çdo trajner sjell një stil të ndryshëm loje.