Alarm në Meksikë, mitiku ‘Azteca’ ende jo gati një muaj para nisjes së Botërorit

Vetëm një muaj para fillimit të FIFA World Cup 2026, në Meksikë ka shpërthyer alarmi për gjendjen e stadiumit historik ‘Azteca’, që do të presë ndeshjen hapëse të turneut, më 11 qershor, në Mexico City.

Sipas raportimeve nga mediet ndërkombëtare, impianti nuk është ende i përfunduar plotësisht, edhe pse sipas kalendarit zyrtar stadiumi duhej t’i dorëzohej FIFA-s pikërisht sot, 30 ditë para nisjes së kompeticionit. Ky afat konsiderohej i domosdoshëm për të përgatitur arenën me elementët zyrtarë dhe markën e Botërorit.

Punimet e rinovimit kanë zgjatur afro dy vite dhe janë shoqëruar me probleme sociale, administrative dhe financiare. Megjithëse Meksika e dinte që prej vitit 2018 se do të ishte bashkorganizatore e Botërorit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, puna konkrete për rikonstruksionin nisi vetëm në maj të vitit 2024.

Stadiumi u rihap zyrtarisht më 29 mars gjatë miqësores mes Meksikës dhe Portugalisë, por shumë tifozë u ankuan menjëherë për pozicionimin dhe organizimin e vendeve në tribuna.

Ekspertët shprehen se transformimi i stadiumit, i cili tashmë mban emrin ‘Stadio Banorte Città del Messico’, nuk duket ende në nivelin e standardeve që kërkon një aktivitet i përmasave të Kupës së Botës. Në planet fillestare, të gjitha punimet duhej të përfundonin deri në fund të vitit 2025, por vonesat kanë ngritur shqetësime serioze vetëm pak javë para nisjes së turneut.