Finalja e Kupës së Italisë mund të ndryshojë garën për Europën, e gjithë Italia bën tifo për Interin

Finalja e Kupës së Italisë mes Interit dhe Lazios nuk do të ketë rëndësi vetëm për trofeun, por edhe për fatin europian të shumë skuadrave të Serisë A. Sfida që do të luhet të mërkurën, në “Olimpico” të Romës, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kupat europiane të sezonit të ardhshëm.

Fituesja e Kupës së Italisë siguron automatikisht një vend në Europa League. Për Interin ky objektiv nuk ka peshë, pasi zikaltrit e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në Champions League, ndërsa për Lazion trofeu paraqet mundësinë më të rëndësishme për të shpëtuar sezonin dhe për të siguruar Europën.

Në rast se triumfon Interi, atëherë shumë skuadra të tjera do të përfitonin indirekt. Napoli, Juventusi, Milani, Como dhe Roma do të ishin të sigurta për të luajtur të paktën në Europa League sezonin e ardhshëm, falë diferencës që kanë krijuar me vendin e shtatë. Kjo do të shmangte rrezikun e Conference League, një kompeticion që shumë klube e shohin me pak interes për shkak të fitimeve të ulëta dhe udhëtimeve të shumta.

Edhe Atalanta do të buzëqeshte në këtë skenar, pasi do të siguronte automatikisht një vend në kompeticionin e tretë europian.

Ndërkohë, nëse triumfon Lazio, situata do të komplikohej ndjeshëm. Bardhekaltrit do të festonin të vetëm, pasi Atalanta do të mbetej matematikisht jashtë Europës, ndërsa vendi i gjashtë, që aktualisht mbahet nga Como, do të çonte në Conference League. Një skenar i tillë do të rriste presionin në javët e fundit të kampionatit për skuadrat që synojnë Champions League.