Francë, 3 persona humbin jetën ndërsa dhjetëra të tjerë evakuohen si pasojë e zjarrit në Lion
Tre persona humbën jetën dhe 50 të tjerë u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu sot në një ndërtesë apartamentesh në një periferi të Lionit në Francën juglindore.
Transmetuesi lokal BFM TV raportoi se një nga viktimat është një burrë që u hodh nga kati i sipërm për t'i shpëtuar flakëve. Katërmbëdhjetë të tjerë pësuan asfiksi nga thithja tymi, por nuk u raportua se janë në gjendje kërcënuese për jetën.
Zjarri shpërtheu sot në mëngjes në një ndërtesë shtatëkatëshe në komunën Decines dhe u shua më vonë nga zjarrfikësit.
Zyra e prokurorit të Lionit tha se ka nisur hetim për akuza të mundshme, që përfshijnë "dëmtim të shkaktuar nga mjete të rrezikshme pasojë vdekjen, vrasje të qëllimshme nga një grup i organizuar dhe pjesëmarrje në një shoqatë kriminale me qëllim kryerjen e një krimi".
Autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një shkaku kriminal.
Sipas BFM TV, lagjja ka parë akte të përsëritura frikësimi të lidhura me trafikun e drogës në javët e fundit, përfshirë zjarrvënie të qëllimshme./ AA.