Policia sulmon gazetarët me ujë dhe gaz, Korreshi rrëfen tmerrin në protestë: Më goditën në fytyrë, u rrëzova...
Dhuna policore ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës së 8 majit ka sjellë reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa gazetarja e Syri Televizion, Marsi Korreshi, ka rrëfyer gjatë një interviste në edicionin e mesditës momentet e vështira kur ajo dhe ekipi i xhirimit u vunë në shënjestër të ujit me presion.
Korreshi tregoi se sulmi ishte kulmi i një serie goditjesh të përsëritura. "Ishte një nga protestat ku është hedhur më shumë ujë me presion dhe gaz lotsjellës," tha ajo. Gazetarja shpjegoi se ajo dhe ekipet e tjera mediatike ishin pranë liderit të opozitës, Sali Berisha, dhe grupi i tyre u shënjestrua në mënyrë të vazhdueshme. "Pas të paktën shtatë deri në tetë episodesh të hedhjes së ujit me presion drejt liderit të opozitës, unë u godita nga një distancë më e afërt. Uji më erdhi në fytyrë dhe u rrëzova," rrëfeu Korreshi, duke shtuar se u ndihmua nga një qytetar për t'u ngritur.
Por rreziku nuk ishte vetëm për të. Edhe operatorët e Syri Televizion, përfshirë Armand Varfin, u vunë në shënjestër direkte. Sipas dëshmive, Varfi, i cili po filmonte i ngjitur mbi një mjet për të kapur pamje më të mira të protestës, u godit nga uji me presion, duke rrezikuar një rënie me pasoja fatale. Ky shënjestrim i drejtpërdrejtë ndaj ekipeve të medias tregon për një situatë tejet të rrezikshme për punonjësit e medias në terren.
Incidenti ka nxitur një reagim të ashpër nga Rrjeti Ndërkombëtar "Safe Journalists". Në një deklaratë zyrtare, organizata dënoi sulmin dhe theksoi se "gazetarët nuk duhet të bien pre e rreziqeve joproporcionale". "Safe Journalists" i kujtoi autoriteteve se ato "kanë detyrim të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të mund të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të sigurt, përfshirë gjatë demonstratave me tension politik".
Arnold Kariqi: Do të fokusohemi tek dhuna policore gjatë protestës së opozitës ndaj grupit të xhirimit dhe konkretisht gazetares së Syrit Televizion, Marsi Korreshi, duke sjellë dhe reagime të forta ndërkombëtare nga organizatt e gazetarëve. Unë kam kolegen në studio. Marsi ndoqëm reagimin e Safe Journalist, por pikë së pari dua të ndalemi pak tek protesta e 8 majit. Çfarë ndodhi dhe pse u gjende në ato rrethana?
Marsi Korreshi: Atëherë, protesta e 8 majit, ashtu sikurse u pa edhe nga pamjet, ishte një nga protestat që është hedhur më shumë ujë me presion le ta themi nga policia, por dhe gaz lotsjellës. Dhe në fakt, ai moment për të cilën u fol edhe nga rrjetet ndërkombëtare, por edhe nga media në Shqipëri, ishte kulmi i disa serive ujë të hedhur me presion ndaj jo vetëm meje, këtu dua ta theksoj, jo vetëm ndaj meje personalisht, por të gjithë ekipeve të xhirimit që ishin pranë dhe po raportonin protestën në ato momente. Pra, dua ta theksoj që të gjithë kolegët kanë qenë pre e ujit të përsëritur me presion që po hidhej ndaj tyre, ndërkohë që ata po raportonin.
Unë isha pranë liderit të opozitës Sali Berisha, duke qenë se ashtu dihet tashmë që gazetarët e terrenit funksionojnë kështu, pra një gazetar do mbulojë një zhvillim të caktuar, një gazetar tjetër do të jetë nga një anë tjetër e protestës dhe mua më qëlloi që të isha gjithë kohës me liderin e opozitës Sali Berisha dhe grupin e protestuesve që po e rrethonin atë. Dhe pasi kishin ndodhur të paktën shtatë deri në tetë episode të hedhjes së ujit me presion drejt liderit të opozitës dhe këtë dua ta theksoj që kam qenë vetë prezente dhe e kam parë që targetimi ka qenë pikërisht drejt atij grupimi, ndonëse ishte pak më i larguar se pjesa tjetër e protestuesve që ishin aty në ballë, në kordonin policor dhe po kishin përplasjet e tyre ose tensionin, nëse mund ta quajmë kështu me grupin e policisë.
Arnold Kariqi: Për strehë sigurie të qëndroje afër liderit të opozitës Marsi.
Marsi Korreshi: E vërtetë, e vërtetë Arnold, ta garantoj që nuk ishte strehë sigurie, po ishte pikërisht ajo pikë ku ti do të kapeshe më shumë sepse ishte pikërisht ai momenti i sulmit dhe ashtu sikurse e thashë, pas shtatë deri në tetë herësh që u hodh ujë me presion, që unë sigurisht kisha qenë prezente dhe isha lagur edhe me këto ujë që janë hedhur në mënyrë të përsëritur. Pak më fatal ishte kjo hedhja e fundit, ku më qëlloi në distancë pak më të afërt. Në përpjekje për të mbrojtur, unë u ktheva me fytyrë, uji më ra në fytyrë dhe ai ishte moment i sikletshëm se u rrëzova më pas edhe u desh që një prej qytetarëve, të cilin e falenderoj, nuk e di se kush është, më ndihmoi që të ngrihesha dhe më pas pata, nuk po ndjehesha mirë. U hodh dhe gaz masiv lotsjellës në atë moment kur ndodhi kjo ngjarje. Thjesht me ndihmën e operatorit arrita të shkoj në makinën e Syri Televizion, aty për t'u ndjerë pak më mirë.
Më ndihmuan qytetarët që të shkoja në makinë për të marrë veten, nëse mund ta quajmë kështu. Pastaj u kërkua edhe asistenca e autoambulancës, megjithëse unë në minutat në vijim u ndjeva pak më mirë le ta themi, nuk ishte gjë serioze. Por gjithsesi serioze është mënyra se si po trajtohen gazetarët që mbulojnë zhvillimet e protestës. Pra nuk kursehen aspak.
Arnold Kariqi: Marsi, me ju ishte dhe operatori Aldo Shkalla, i Syri Televizion dhe Armand Varfi që disa herë u goditen nga policia
Marsi Korreshi: Ne kemi parë në fakt edhe nga videot që janë transmetuar, që ishte një moment, unë thashë, targetimi ishte gjatë gjithë kohës te lideri i opozitës dhe unë isha aty, isha e pranishëm dhe bashkë me liderin e opozitës sigurisht që do isha dhe unë në target. Por ishte një moment që targetimi ishte edhe te grupi i xhirimit të Syri Televizion. Ajo është parë edhe nga pamjet e drejtpërdrejta. Ishte Armand Varfi lart makinës atje ku po xhironte pamjet e protestës që u desh të rrezikonte edhe jetën le të themi sepse ishte lart dhe mund të rrëzohej. Pra akoma më fatale do të ishte për atë, por shyqyr le ta themi kështu që nuk pati një incident të tillë. Por megjithëse dy operatorët që përmenda por të gjithë operatorët, jo vetëm të Syri Televizion por të gjithë mediave që mbulojnë protestën si operatorët edhe gazetarët po përballen në mënyrë të përsëritur me këto sulme…