Kanosi me thikë menaxherin e supermarketit për ta grabitur, arrestohet 40-vjeçari në Korçë

Një tentativë grabitjeje me dhunë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në lagjen 10 të qytetit të Korçë, ku një 40-vjeçar ka kanosur me thikë menaxherin e një supermarketi për t’i marrë xhiron ditore.

Sipas të dhënave paraprake, autori kishte pritur që menaxheri të dilte jashtë ambienteve të supermarketit dhe më pas e ka kërcënuar duke përdorur një mjet prerës. Për të fshehur identitetin, ai mbante veshur një kapuç.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit vetëm pak orë pas ngjarjes. Burime bëjnë me dije se 40-vjeçari është person i njohur për policinë, pasi ka qenë i dënuar më parë për vjedhje.

Mbi të rëndon akuza e “vjedhjes me dhunë”, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe rrethanave të ngjarjes.