Berisha: Kam respektin më të madh për Komisionin Europian dhe ambasadorët, por të vërtetat nuk mund t’i fsheh

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka folur mbi deklaratat e ambasadave të vendeve evropiane, në lidhje me denoncimet e Partisë Demokratike për aktivitetin e Ambasadës së BE në vendin tonë, duke keqinformuar kancelaritë në Bruksel.

Pyetjes së gazetares në lidhje me këtë temë, Berisha iu përgjigj duke theksuar se ‘ka respektin më të madh për Komisionin Europian dhe ambasadorët, por të vërtetat nuk mund t’i fsheh’.

Pyetje-përgjigje:

Elda Menga: Ju keni bërë disa etiketime në adresë të ambasadorit të BE, Silvio Gonzato. Një ditë më parë, një zëdhënës i BE ka reaguar ndaj deklaratave tuaja duke thënë se deklarata të tilla janë të papranueshme. BE dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Europës ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri... Kjo deklaratë ka marrë edhe mbështetjen e ambasadorëve të tjerë të BE. Pyetja ime është: A keni një koment apo reflektim në lidhje me deklaratat tuaja pas këtij qëndrimi?

Sali Berisha: Unë edhe njëherë u deklaroj shqiptarëve se në mënyrë absolute çdo gjë që kam thënë, e kam pasur dhe e kam të bazuar në të paktën dy ose më shumë burime.

Unë kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare.

Por në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë në botë që më pengon mua të denoncoj atë që unë e konsideroj të papajtueshme, të drejtë.

Dhe nuk kam ndërmend tani të ndalem në zinxhirin e komenteve dhe të jap shembuj.

Nuk kam asnjë dëshirë të polemizoj sepse thashë se kam respektin më të madh si për Komisionin Europian, për Parlamentin Europian, për përfaqësuesit e vendeve anëtare, por nuk mund të pajtohem kurrë me akte të papranueshme.

Ndaj dhe i kam denoncuar jo sot, por siç e dini ju, vite e vite më parë, vite në vazhdim, dhe do i denoncoj ato.

Të vërtetat unë nuk mund t’i fsheh.

Nuk do isha ky që jam.

Ndaj dhe kjo është përgjigja ime.