Dy gola pas Mbappe, Muriqi synon mbijetesën për Mallorcën dhe ‘Këpucën e Artë’ në Spanjë
Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, vazhdon të shkëlqejë në La Liga, duke mbajtur gjallë jo vetëm ëndrrën e Mallorcës për mbijetesë, por edhe shpresat personale për “Këpucën e Artë” në Spanjë.
Bomberi dardan realizoi edhe një tjetër gol në barazimin 1-1 ndaj Villarreal, duke e çuar numrin e golave në 22 këtë sezon. Tashmë ai ndodhet vetëm dy gola pas Kylian Mbappé, i cili kryeson garën për “Pichichi”.
Pas ndeshjes, Muriqi nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, duke e cilësuar si një “barazim me shije humbjeje”, pasi Mallorca krijoi më shumë raste dhe ishte skuadra më kërkuese në fushë.
“Krijuam shumë raste, por portieri i tyre bëri disa pritje fantastike. Nëse nuk mund të fitosh, nuk duhet të humbësh”, deklaroi kapiteni i Kosovës.
Me tri ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, objektivi i Mallorcës mbetet sigurimi i mbijetesës në elitën e futbollit spanjoll, ndërsa Muriqi synon të vazhdojë ritmin e golave për të ushtruar presion ndaj Mbappes në garën për golashënuesin më të mirë.
Forma e shkëlqyer e sulmuesit kosovar po e shndërron atë në një nga protagonistët absolutë të këtij sezoni në La Liga, ndërsa tifozët e Mallorcës vazhdojnë të ëndërrojnë falë golave të tij.