Siguria publike është përkeqësuar, Qurku: Nga perla e turizmit në arenë krimi - Çfarë po ndodh në Sarandë?

Saranda, një ndër destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri, po përballet me një realitet të zymtë që bie ndesh me imazhin e saj si një qytet piktoresk dhe i qetë. Vrasja e ndodhur së fundmi ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur alarmin për një përshkallëzim të pasigurisë, duke e kthyer qytetin bregdetar në qendër të lajmeve të kronikës së zezë pikërisht në fillim të sezonit turistik.

Në një diskutim mbi këtë situatë paradoksale, kryetarja e PD Sarandë Matilda Qurku e ftuar ne emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, thekson se ndërsa bukuria dhe atraktiviteti turistik i Sarandës mbeten të pandryshuara, siguria publike është përkeqësuar. Sipas saj, një pjesë e përgjegjësisë bie mbi vetë qytetarët. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, ajo argumentoi se mungesa e reagimit dhe përgjegjshmërisë qytetare ka lejuar që situata të degradojë, duke bërë që edhe vëmendja e qeverisë ndaj qytetit të jetë e pamjaftueshme. “Nëse ne do reagonim shumë më shpejt, kjo qeveri do ta kthente vëmendjen në Sarandë dhe nuk do ta linte kaq pa zot,” shprehet ajo.

Duke iu referuar ngjarjes së rëndë, Kryetarja e PD shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës, duke e cilësuar aktin e tij si heroik. Sipas saj, viktima humbi jetën teksa po mbronte një person tjetër brenda biznesit të tij, duke demonstruar një akt bese në një kohë kur indiferenca dhe shprehja “ç’më duhet mua” është bërë normë. Ajo shpreh keqardhje të thellë që autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë të rinj, gjë që e bën situatën edhe më alarmante.

Në analizën e saj, Qurku e lidh këtë klimë pasigurie me problemet e thella që lidhen me pronat. Ajo argumenton se kur vetë qeveria bëhet protagoniste në procese të dyshimta pronësie, krijohet një mjedis ku ligji nuk respektohet dhe “i forti” dominon në çdo fushë, nga tenderët e deri te zënia e hapësirave publike si parkingjet.

Flavio Qarri: Pyetja është e thjeshtë. Pse ky paradoks dhe çfarë dreqin po ndodh në Sarandë vërtetë?

Matilda Qurku: Saranda mbetet atraksion turistik, mbetet e bukur, mbetet qyteti bregdetar më i lakuar i Shqipërisë nga turistët dhe kjo nuk ndryshon. Fakti që Saranda po bëhet më e pasigurt ka të bëjë me ne si qytetarë. Dhe e them këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Nëse ne do reagonim shumë më shpejt dhe nëse ne do ishim më të përgjegjshëm ndaj asaj që si qytetarë kemi për detyrë të bëjmë, atëherë kjo qeveri do ta kthente vëmendjen në Sarandë dhe nuk do ta linte Sarandën kaq pa zot. Po flasim sot edhe dua në radhë të parë të shpreh ngushëllimet më të përzemërta për familjen Ismaili për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Dhe më fal që e nisa kështu por është, është, na dhëmb në shpirt të gjithë Sarandës ajo që ka ndodhur.

Po flasim për njerëz të cilët dhe janë, faktikisht janë fëmijë, mund t'i quajmë kështu, rini, njerëz të rinj që sa e kanë nisur jetën dhe bëhen pjesë e një vrasjeje. Një vrasje që i merr jetën një njeriu në biznesin e vet, në shtëpinë e vet. Po flasim për çështje bese. E keqja, ta themi në thonjëza, e Rexhepit ishte se i doli për zot njeriut që kishte në biznesin e vet. Në një kohë kur sot të gjithë ne në Shqipëri themi, ç'më duhet mua. Shohim padrejtësi dhe themi, s'ka të bëjë me mua, ç'më duhet mua. Rexhepi nuk e bëri këtë por i doli për zot një njeriu dhe tha, është në shtëpinë time, ju nuk mund të veproni. Dhe për këtë humbi jetën. E gjitha kjo është një tablo që shfaqet shpesh në Sarandë. Nuk ka ndodhur kaq fatale fatmirësisht, por po ta shikoni në kronikat tuaja, në Sarandë çuna të rinj shkrepin armën. Qoftë edhe kot në rrugë, për një llaf goje shkrepin armën. Ka plot kronika që ju i shikoni. Dhe kjo të kthen shumë në vëmendje të institucioneve. Duhet vënë dorë në Sarandë, që Saranda nga qyteti pitoresk që flitet vetëm për turizmin, nuk ka pse kthehet në kronika, aq më keq në fillim sezoni për lajme të zeza…