‘Korrupsion marramendës’, Haçkaj: Mjaft me standarde të dyfishta në shëndetësi - Shteti të paguajë për kurimin e fëmijëve

Një nismë e re qytetare kërkon t’i japë fund pabarazisë në sistemin shëndetësor shqiptar, duke synuar të garantojë me ligj mbulimin e kurimit jashtë vendit për fëmijët me sëmundje të rënda. E nxitur nga një mosbesim i thellë ndaj sistemit dhe nga një tragjedi personale, nisma “Për Fëmijët” synon të mbledhë 20,000 firma për të detyruar shtetin të marrë përgjegjësitë e tij.

Aktivisti Florjan Haçkaj, pjesë e nismës ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, shpjegoi se humbja e babait të tij pas një diagnoze të gabuar në Shqipëri ishte momenti kyç që e shtyu drejt aktivizmit. Ai rrëfen se gjatë qëndrimit në një spital privat në Vjenë, ku babai i tij fatkeqësisht ndërroi jetë, mësoi se aty kuroheshin rregullisht politikanë dhe deputetë shqiptarë. Kjo situatë nxori në pah një realitet të hidhur: një standard i dyfishtë ku elita politike merr shërbimin më të mirë jashtë vendit, ndërsa qytetarët e zakonshëm luftojnë me një sistem të kalbur dhe shpeshherë duhet të lypin ndihmë publike për të shpëtuar jetët e të afërmve të tyre.

Nisma, e cila nisi nga disa qytetarë në Korçë dhe u mbështet nga grupi “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, kërkon që përmes një propozimi ligjor të detyrojë shtetin të mbulojë financiarisht kurimin e fëmijëve, kur mjekimi i tyre është i pamundur në Shqipëri. Qytetarët ftohen të shkarkojnë dhe të firmosin formularin nga faqja zyrtare “Nisma për Fëmijët”.

Një aspekt kritik i ngritur nga aktivistët është heshtja e plotë e klasës politike. Pavarësisht se nisma ka më shumë se një muaj që është bërë publike, asnjë deputet nuk ka ndërmarrë hapa për ta çuar atë në parlament, duke i detyruar qytetarët të ndjekin rrugën e gjatë të mbledhjes së firmave. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri Haçkaj tha se, kjo tregon qartë “sa të ndara janë rrugët e qytetarëve të thjeshtë me ata që duhet të bëjnë politikën në Shqipëri”.

Ai theksoi se është detyrë e shtetit të garantojë jetën e fëmijëve, në vend që fondet publike të shpërdorohen në “koncesione dhe korrupsion marramendës”. “Me shumë pak nga ato fonde, jetët e shumë fëmijëve mund të shpëtohen,” përfundoi ai.

Flavio Qarri: Më trego pak për nismën. E para njëherë, sa mendon vërtet që ka një raport sinqeriteti mes sistemit shëndetësor dhe qytetarëve shqiptarë?

Florjan Haçkaj: Po nuk ka fare Flavio, nuk ka fare dhe kjo është një nga arsyet që njerëzit largohen përditë, për t'i dhënë fëmijëve një jetë më të mirë, ose një mundësi dinjitoze për të jetuar. Dhe ju e bëtë një insert shumë të bukur në fillim, por ne e shohim përditë nëpër rrjete, nëpër emisione të ndryshme, se si prindër të dëshpëruar bëjnë thirrje për ndihmë për fëmijët e tyre. Ndërkohë që shteti, si në çdo shtet të botës, duhet ta ketë për detyrë t'i plotësojë kushtet minimale, të jetë dhe në lartësinë e sëmundjeve siç është gjithë bota, që t'i kurojë në Shqipëri. Dhe kjo nismë, këtë synon, por më duhet të them që nuk është aspak nisma ime. Kjo është nismë e disa qytetarëve nga Korça. Unë as nuk i njoh personalisht, por përmend Ardit Konomin, Klajdi Plahon, që i kam njohur në rrjet si aktivistë. Është një nismë e bukur. Diaspora për Shqipërinë e Lirë i është bashkuar duke mbledhur firma në shtetet ku ne jetojmë.

Flavio Qarri Tani, si mund të materializohet ideja për të garantuar një mbulim shëndetësor dhe shërbim shëndetësor për ata që përballen me sfida më specifike dhe më të vështira?

Florjan Haçkaj: Patjetër. Shiko, të them vetëm diçka nga ana personale. Unë gjithë aktivizmin tim personal e kam filluar kur në 2017-ën im at u sëmur nga një sëmundje, i ndjeri, sepse ndërroi jetë dhe në Shqipëri e kuronin komplet gabim. Kur e çuam me shumë mundime në Vjenë, ku fatkeqësisht e ndërroi jetë, çfarë më vrau mua më shumë përveç humbjes së babait, ishte që spitali privat thotë që të gjithë deputetët shqiptarë, ose politikanët kurohen këtu. Dhe unë thashë me vete, ore si ka mundësi që njerëzit normalë duhet të bëjnë çmendurira, kurse shteti i përgjigjet politikanëve apo deputetëve, të cilët i mbajnë për njerëz me rëndësi të madhe, por nuk është se kanë një rëndësi të madhe, e ka treguar koha. Rëndësi më të madhe kanë filizat e jetës, që janë fëmijët, për çdo qytetar, por në rast kryesor fëmijët. Dhe si mund të bëhet kjo konkrete? Me 20 mijë firma, të çohet në parlament. Por dhe këtu ka diçka. Ne si qytetarë duam t'i japim shembullin që mbledhim 20 mijë firma, që kjo çështje ka mbështetje dhe këtu është thirrja për të gjithë të shkojnë tek faqja 'Nisma për Fëmijët', të printojnë formularin, ta printojnë dhe ta firmosin me gjithë njerëzit e tyre dhe të na e nisin më vonë. Por çfarë më bën përshtypje Flavio është, si nuk ka dalë kjo nismë ka mbi një muaj, si nuk ka dalë një deputet të vijë në mënyrë proaktive dhe të thotë, ej mos u lodhni me firma, se do ta çoj unë në parlament. Sepse në Shqipëri kështu çohen projektligjet. Ose me 20 mijë firma, ose me deputetë. Kjo tregon sa të ndara janë rrugët e qytetarëve të thjeshtë me ata që duhet të bëjnë politikën në Shqipëri.

Flavio Qarri: E kuptoj. A prisni një reagim qytetar dhe një, le të themi, materializim konkret, si do të jetë hap pas hapi? Më trego pak udhën Flori.

Florjan Haçkaj: Po siç e tha i nderuari Medi Malka, domethënë ne nuk mund të presim nga të tjerët të bëjnë, ne duhet të bëjmë vetë. Aq, thjesht pak sa mundemi. Unë këtë nismë për shembull e kam parë tek Qëndresa Qytetare, që e ka shpërndarë, Diaspora për Shqipërinë e Lirë i është bashkuar dhe me sa shoh ka goxha dëshirë dhe kur i flet njerëzve për këtë, janë gati direkt sepse sa përmend fëmijët, ëh duan të ndihmojnë, sidomos në një gjendje katastrofike siç është Shqipëria me këto ngjarjet e fundit kur fëmijët, shumica nuk po kujdesen për ta. Jam i bindur që edhe ju si gazetar i njohur, por dhe kolegët tuaj mund t'i bashkohen kësaj nisme duke e shpërndarë nëpër rrjete, duke e firmosur me kolegët e tyre. Është një nismë shumë fisnike dhe nëse më lejon, meqë jemi tek nismat fisnike, ne kaq kemi në dorë dhe kaq bëjmë. Pjesën tjetër e kanë politikanët dhe ata duhet ta bëjnë këtë detyrë, sepse për atë punë janë aty. A mund të përmend një nismë tjetër që është shumë e dashur për mua, Flavio, që ne e kemi marrë përsipër?

Flavio Qarri: Po.

Florjan Haçkaj: Diaspora për Shqipërinë e Lirë, në grupin e saj të punës, në grupet e punës, ka disa anëtarë që u mblodhëm bashkë e thamë, ore çfarë mund të ndihmojmë ne Shqipërinë përveç kauzave të drejta që bëjmë. Dhe kanë krijuar Bursën Sevasti Qiriazi, që është një bursë e dhënë nga diaspora për vajzat në nevojë që duan të studiojnë, dhe ka hapur aplikimin online. Deri tani kemi mbledhur fonde vetëm për katër bursa për të studiuar, por dhe kjo është një nismë shumë e bukur dhe si nisma të tilla jam i bindur që mund të bëjmë shumë më shumë. Kështu që faleminderit që ma dhatë mundësinë, por të kthehem tek nisma për fëmijët, është detyrë e shtetit shqiptar që ato para mos t'i vjedhë siç i vjedhin me koncesione e me korrupsion marramendës që po na dalin përditë dhe gati-gati na është bërë normal korrupsioni, të dëgjojmë shifra marramendëse. Me shumë pak nga ato fonde, jetët e shumë fëmijëve mund të shpëtohen.