Hansi Flick flet pas titullit të Barcelonës: Sezonin tjetër marrim Championsin

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dërguar një mesazh të fortë për tifozët dhe rivalët pas triumfit në La Liga, duke premtuar se objektivi i madh i sezonit të ardhshëm do të jetë fitimi i Ligës së Kampionëve.

Pas suksesit ndaj Real Madridit me rezultatin 2-0 në “Camp Nou”, tekniku gjerman u shfaq shumë i emocionuar dhe krenar për rrugëtimin e skuadrës katalanase gjatë këtij sezoni.

Flick vlerësoi karakterin dhe sakrificat e ekipit, sidomos në një sezon të mbushur me probleme fizike dhe mungesa të rëndësishme.

“Lëndimet nuk na e bënë të lehtë, por edhe kështu kemi qenë fantastikë. Kemi luajtur shumë mirë në fazën e fundit të kampionatit”, deklaroi trajneri i Barcelonës.

Ai nuk harroi të lavdërojë edhe lojtarët e rinj që kanë shpërthyer këtë sezon, si Pau Cubarsi, Gerard Martin dhe Eric Garcia, duke theksuar se skuadra ka fituar shumë cilësi dhe alternativa.

Megjithatë, deklarata që elektrizoi tifozët ishte ajo për sezonin e ardhshëm.

“Tani duam të arrijmë 100 pikë. Dhe vitin e ardhshëm do të përpiqemi ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, u shpreh Flick me bindje të plotë.

Tekniku gjerman gjithashtu falënderoi drejtuesit dhe ambientin te Barcelona për besimin dhe mbështetjen që nga dita e parë e mbërritjes së tij në klub.

Barcelona do të rikthehet në fushë në mesjavë, ku do të përballet në transfertë ndaj Deportivo Alavés, ndërsa festa për titullin vazhdon në Katalonjë.