Betejë e zjarrtë për mbijetesën në Bundesligë, tre skuadra me nga 26 pikë, gjithçka vendoset në javën e fundit
Lufta për mbijetesë në elitën e futbollit gjerman, Bundesliga, ka arritur kulmin. Para javës së fundit të sezonit, tri skuadra ndodhen në një situatë të pabesueshme: Wolfsburg, St. Pauli dhe Heidenheim kanë të gjitha nga 26 pikë dhe fati i tyre do të vendoset në 90 minutat e fundit.
Sistemi i renditjes është i pamëshirshëm: dy skuadra do të bien direkt nga kategoria, ndërsa e treta do të luajë “play-off” kundër vendit të tretë të Bundesliga 2. Diferencat janë minimale dhe çdo gol mund të jetë vendimtar.
Në fundjavën e fundit, situata u ndez edhe më shumë. St. Pauli u mposht 2-1 nga Leipzigu, ndërsa Wolfsburg humbi 1-0 ndaj Bayern Munich. Këto rezultate i hapën rrugë Heidenheim-it, që përfitoi maksimalisht duke fituar 3-1 ndaj Köln-it dhe duke u larguar nga vendi i fundit.
Tani gjithçka është e hapur. Wolfsburgu ka avantazhin në diferencën e golave (-26), ndërsa St. Pauli dhe Heidenheim ndjekin me -29. Për më tepër, St. Pauli dhe Wolfsburgu do të përballen mes tyre në një duel direkt, ndërsa Heidenheim do të luajë në shtëpi ndaj Mainz-it, që nuk ka më objektiva.
Llogaritë janë të thjeshta vetëm në letër: nëse Wolfsburgu fiton, Heidenheim duhet patjetër të fitojë dhe të rikuperojë diferencën prej tre golash. Një javë finale që pritet të jetë dramatike deri në sekondën e fundit në Bundesligë.