Alarm te Bilbao dhe Spanja, Nico Williams del i dëmtuar me lot në sy
Shqetësim i madh tek Athletic Bilbao dhe te kombëtarja e Spanja pas dëmtimit të Nico Williams në sfidën ndaj Valencias.
Sulmuesi anësor i skuadrës baske u detyrua të largohej nga fusha para përfundimit të pjesës së parë, duke ngritur menjëherë alarmin për gjendjen e tij fizike.
Sipas raportimeve të medieve spanjolle, problemi ka ardhur gjatë një krosimi, moment në të cilin futbollisti i lindur në vitin 2002 ka ndier dhimbje në zonën e aduktorit të djathtë. Pas ndalimit të lojës, Williams u ul në fushë dukshëm i tronditur, ndërsa më pas u zëvendësua.
Pamjet televizive treguan lojtarin shumë të prekur emocionalisht, teksa u ngushëllua edhe nga trajneri Ernesto Valverde gjatë daljes nga fusha.
Ajo që shtoi edhe më shumë frikën ishte reagimi i vetë lojtarit. Sipas raportimeve, Nico Williams përsëriste vazhdimisht fjalët: “Nuk është e mundur, nuk është e mundur”.
Në orët në vijim, futbollisti do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Situata shihet me shumë shqetësim edhe për faktin se Williams ka kaluar muaj të vështirë për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike dhe pubalgjisë.
Vetëm së fundmi ‘ylli’ i Athletic Bilbaos dukej se kishte rikthyer formën dhe vazhdimësinë e tij më të mirë, ndaj dëmtimi i ri ka rikthyer frikën te skuadra baske dhe te kombëtarja spanjolle.