Nga Rama te Belinda, si u fuqizua mafia shqiptare me ndihmën e narkoshtetit
Sipas ekspertëve italianë, mafia shqiptare është shndërruar në organizatën kriminale më të fuqishme në nivel ndërkombëtar. Forca e saj kryesore qëndron në aftësinë për të riinvestuar të gjitha fitimet brenda Shqipërisë, një strategji që i ka dhënë një kontroll të gjerë mbi strukturat institucionale të vendit. Kjo strategji e pastrimit të parave dhe investimit brenda vendit i lejon grupet kriminale të kenë një ndikim të thellë në institucionet shtetërore, duke minuar sundimin e ligjit.
Deklaratat e ekspertëve në PresaDiretta, në televizionin Rai 3, theksojnë se ky fenomen është një problem madhor që i jep krimit të organizuar një pushtet të konsiderueshëm. Një shembull konkret i lidhjeve mes politikës dhe abuzimit me pushtetin është rasti i Belinda Ballukut, ish- zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, e cilësuar si “krahu i djathtë” i kryeministrit Edi Rama. Ajo, shprehet emisioni italian, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) me akuzën për shkelje të procedurave në disa tendera publikë.
Ndërkohë, burime të tjera zyrtare konfirmojnë se hetimet kanë zbuluar një rrjet të gjerë bashkëpunimi mes elementëve të krimit të organizuar dhe segmenteve të ndryshme të institucioneve shtetërore. Në këtë rrjet dyshohet se janë përfshirë anëtarë të forcave të rendit, oficerë të lartë policie, funksionarë bashkiakë, prokurorë dhe gjyqtarë. Ky rrjet kontaktesh favorizon aktivitetet e paligjshme të grupeve kriminale, duke u ofruar atyre mbrojtje dhe lehtësira institucionale.