'150 të burgosur kanë humbur jetën', Topalli: Qeveria pasuron pakicën, ndërsa shqiptarët jetojnë në varfëri, pasiguri...

Deputetja e opozitës Jozefina Topalli, në një reagim në rrjetet e saj sociale, u shpreh se situata në burgjet shqiptare është alarmante, me mbi 150 të burgosur që kanë humbur jetën në qeli.

Ajo denoncoi modelin e qeverisjes aktuale, ku pakica pasurohet ndërsa shumica jeton në pasiguri, varfëri dhe frikë. Topalli akuzoi propagandën e mediave, shpenzimet e larta për evente të një nate dhe pandëshkueshmërinë e pushtetit, ndërkohë që mijëra familje përballen me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social.

“Kjo nuk është më ironi, por cinizëm i organizuar,” shkroi ajo, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për situatën sociale dhe institucionale në vend.

Postimi:

Dhe ndërkohë… mbi 150 të burgosur kanë humbur jetën në qeli.
Në një vend normal, kjo do të ishte alarm kombëtar. Këtu kalon si lajm i zakonshëm.
Sepse ky nuk është më shtet. Ky është një cirk i milionerëve, ku pakica pasurohet në errësirë, dhe shumica jeton në pasiguri dhe frikë.
Ky është modeli që keni ndërtuar: një Shqipëri ku pakica pasurohet me pushtetin, ndërsa shumica jeton me frikë, pasiguri dhe varfëri.
Ky është modeli që i keni imponuar Shqipërisë: propagandë në ekran, varfëri në familje, frikë në institucione dhe pandëshkueshmëri për pushtetin.
Miliona për një stadium njëditor, për një koncert të Kanye West.
Një natë muzikë. Një vit propagandë.
Ndërkohë, sipas Eurostat, 44.5% e familjeve me fëmijë dhe 37% e familjeve pa fëmijë janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Pra, ndërsa gjysma e familjeve numëron lekët për bukën e muajit, shteti numëron reflektorët për një natë.
Kjo nuk është më ironi. Është cinizëm i organizuar.