Festa nis para kohe, Le Mans shumë pranë rikthimit historik në Ligue 1

Le Mans është vetëm një hap larg rikthimit historik në Ligue 1, edhe pse ndeshja vendimtare ndaj Sporting de Bastia u ndërpre dhe rezultati ende nuk është zyrtarizuar.

Skuadra franceze, që kishte rënë nga elita në vitin 2010 dhe madje kishte zbritur deri në kategorinë e gjashtë në vitin 2013, ishte shumë pranë sigurimit të ngjitjes së dytë radhazi. Në transfertën e Korsikës, Le Mans kryesonte 2-0 ndaj Bastias, por takimi u ndërpre pak çaste pas golit të dytë të realizuar në kohën shtesë.

Autoritetet vendosën që sfida të mos rifillonte, ndërsa rezultati ende nuk është homologuar zyrtarisht. Megjithatë, konfirmimi pritet të vijë në orët në vijim dhe, nëse rezultati mbetet në fuqi, Le Mans do të rikthehet në Ligue 1, ndërsa Bastia do të bjerë në Ligue 3.

Pavarësisht pasigurisë zyrtare, lojtarët dhe tifozët e Le Mans festuan gjatë gjithë natës rikthimin e shumëpritur në elitën e futbollit francez.

Në fushë, skuadra e drejtuar nga Patrick Videira kaloi në avantazh që në minutën e 16-të me golin e Erwan Colas pas një goditjeje këndi. Në pjesën e dytë, Dame Gueye goditi traversën, ndërsa në minutën 90+1 Milan Robin realizoi golin e dytë që ndezi festën e madhe.

Ndërkohë, Saint-Etienne bëri detyrën duke shkatërruar 5-0 Amiens, por skuadra historike franceze ende duhet të presë fatin e Le Mans. Protagonisti i sfidës ishte Joshua Duffus, autor i dy golave në pjesën e parë.

Nëse triumfi i Le Mans konfirmohet zyrtarisht, Saint-Etienne do të detyrohet të luajë në “play-off” për ngjitjen në Ligue 1.