Reforma Territoriale, Eksperti: Reforma e 2015 dështoi, shpenzimet u rritën dhe administrata u dyfishua
I ftuar në studion e lajmeve në Syri TV, avokati dhe eksperti i reformës territoriale, Artan Manushaqe, foli mbi dështimin e reformës administrative të vitit 2015.
Ai u shpreh se objektivat kryesore nuk janë arritur, pasi shpenzimet janë rritur me 70 milionë euro dhe administrata lokale është fryrë thuajse dyfish. Para vitit 2014, rreth 1/3 e buxhetit të bashkive shkonte për paga dhe sigurime shoqërore, ndërsa sot kjo shifër ka kaluar 50–52%, duke lënë shumë pak për investime dhe shërbime për qytetarët.
Manushaqe theksoi se qytetarët në zonat rurale vazhdojnë të jenë larg shërbimeve bazë, duke humbur kohë dhe para. Eksperti sugjeroi që zgjidhja qëndron në shtimin e bashkive, për të sjellë decentralizim real dhe shërbime më afër qytetarëve, duke luftuar shpopullimin e zonave rurale.
Pjesë nga deklarata:
Ke votat. Po kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Europian, të marrëveshjes së stabilizim-asocimit, të detyrojnë që të kesh edhe kompromisin e opozitës shqiptare. Pra, janë reduktuar shërbimet.
60 fshatra vinin në Levan, ose e kundërta, Levani vinte në Sakran. Po pse? Pse mos bëhen bashki ato zona? Përse mos bëhet bashki Fushë-Kruja, Sukthi, Maminasi, Velipoja, Shëngjini, Kastrioti?
Atëherë po japim edhe disa shifra. Reforma territoriale, pra, një nga argumentet kryesore të qeverisë së sotme, me këta personazhe dhe në atë kohë, ishte argumenti që do të reduktonim shpenzimet dhe kostot fiskale. Pra, u presupozua që do të reduktoheshin 70 milionë euro çdo vit lidhur me reformat territoriale të shtetit. Sot, jo vetëm që nuk janë eleminuar, por janë shtuar plus 70 milionë të tjera.
Nga 2015 deri në 2026, buxhetet e bashkive, vetëm për pagat dhe sigurimet shoqërore, në vitin 2014 dhe më parë paguanin rreth 1/3 të buxhetit të tyre, pra diku te 30–33%. Sot, në një mesatare të përgjithshme, buxhetet e bashkive kalojnë mbi 50–52%, madje ka bashki që përdorin deri në 60–70% të buxhetit vetëm për paga dhe sigurimet shoqërore të punonjësve.
U hodh argumenti për të ulur shpenzimet operative brenda pushtetit lokal. Por punësimet u rritën dhe kostot u shtuan. Një punonjës në bashki u bë tre punonjës; nga rreth 19.000 punonjës në total, sot ka mbi 40–50.000 punonjës në pushtetin lokal.
Nga pikëpamja strukturore, a ka falimentuar bujqësia këto vjet? Reforma administrativo-territoriale është shumë e rëndësishme, ndonjëherë edhe më e rëndësishme se reforma e gjyqësorit. Reforma e gjyqësorit ka dështuar, sepse tani duan të rikthejnë prapë apelet ku kanë qenë.
Pas një viti, pasi kalon një afat trevjeçar, reforma rishikohet dhe ideja është që apelet të kthehen përsëri, pasi kanë krijuar probleme të mëdha. Reforma u bë në mënyrë të njëanshme. Në Gjykatën e Lartë ka mbi 40.000–150.000 çështje në stok.
Cilat janë benefitet? Benefiti i parë është që qytetari ka shërbime më afër. Pas shtimit të bashkive, qytetarit i ofrohet administrata, gjendja civile, shkolla, kopshti, çerdhe – pra shërbimet bazë që e mbajnë komunitetin në vend.
Qytetari nuk është i detyruar të shkojë larg për të marrë një leje apo për një hall të caktuar. Për shembull, qytetari nga qendra e njësisë ka afërsisht 60 minuta distancë për të arritur shërbimin. Shtimi i bashkive i afron shërbimet qytetarit dhe parandalon shpopullimin e zonave rurale.
Një problem tjetër është dallimi midis konceptit urban dhe rural. Zhvillimi i zonave rurale shpesh e merr ndikimin nga zonat urbane, duke krijuar pabarazi. Tirana, për shembull, ka marrë pjesë të fushave të panjohura që dikur i përkisnin njësive administrative ose komunave, të cilat nuk trajtohen me vëmendjen e duhur, pavarësisht kapacitetit të tyre.