VIDEO/ Skandal në ‘Elbasan Arena’! Tifozët e Elbasanit dhe Tiranës futen në fushë, përplasje me grushte dhe flakadanë
Skena të turpshme dhe tensione të forta janë regjistruar në stadiumin Elbasan Arena gjatë sfidës mes Elbasanit dhe Tiranës, ku tifozët e të dyja skuadrave janë përfshirë në përplasje fizike.
Situata degradoi kur një grup tifozësh verdheblu u afruan pranë sektorit të mbështetësve të Tiranës, duke sjellë konfrontime të drejtpërdrejta me grushte dhe flakadanë. Në ato momente u krijua një atmosferë kaotike në stadium, ndërsa një pjesë e tifozëve hynë edhe në fushën e lojës.
Pamjet e regjistruara nga tribuna tregojnë momente tensioni dhe paniku, teksa përplasjet vazhduan për disa minuta. Për të vënë situatën nën kontroll, ishte e nevojshme ndërhyrja e forcave të shumta të policisë, të cilat krijuan kordon sigurie mes tifozërive dhe larguan personat e përfshirë në incidente.
Përplasje ka pasur edhe jashtë stadiumit, ku sipas informacioneve paraprake një grup tifozësh nga kryeqyteti janë përfshirë në akte dhune pranë ambienteve sportive. Ndërhyrja e policisë shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve dhe riktheu qetësinë në zonë.
Ndeshja kishte rëndësi të madhe për të dyja skuadrat. Tirana synon të shmangë edhe zonën “play out” dhe aktualisht ndodhet jashtë zonës së ftohtë, ndërsa Elbasani kërkon ta mbyllë kampionatin në vendin e parë pas 36 javësh.