Investigimi i Piranjave/ Adoleshentë që ikin nga shtëpia dhe trafikim vajzash minorene

Në një kohë kur marrëdhëniet brenda familjes po përballen me sfida të reja, të rinjtë e moshës 14 deri në 17 vjeç, pjesë Generatës Z ngjajnë gjithnjë e më të distancuar nga personat që i rrethojnë me dashuri dhe afeksion. Bota e tyre shpesh është më e mbyllur, e ftohtë dhe ndonjëherë e ashpër, sidomos ndaj prindërve.

'Piranjat' treguan për një rast që nisi si një denoncim i 4 nënave nga Durrësi, por që shpejt kuptuam se kemi në duar një bombë të vërtetë sociale, e cila ndodhte çdo ditë nën hundën e institucioneve ndërkohë që viktimat ishin disa djem dhe vajza minorenë, që kishin zgjedhur një rrugë tërësisht të gabuar aq më tepër kur flitet për një grup adoleshentësh.

Nënat treguan se fëmijët e tyre filluan ikjet nga shkolla si fillim. Më pas nuk i dëgjonin si prindër dhe silleshin shumë keq duke tejkaluar deri në ikjet nga shtëpia.

Fëmijë që largohen nga shtëpia duke shkëputur çdo lidhje me familjen, madje duke arritur në një etapë ku urrejtja ndaj prindërve kapërcen çdo arsye. Shtëpi dhe makina me qera, dreka e darka jashtë, dhe shumë para nëpër duar. A duhet të dyshojmë që diçka shumë e madhe fshihet pas kësaj.

Kjo tablo e zymtë që paraqesin nënat, për këtë grup adoleshentësh është një realitet krejt i ndryshëm dhe përkthehet në liri, qejf dhe para...

Por edhe komunikim i ashpër dhe me doza arrogance ndaj prindërve.

Po ku shkojnë këta fëmijë, cila është rutina e tyre, pse marrin banesa me qera, dhe mbi të gjitha, pse kanë shumë lekë në duar?

Këtu jemi në një situatë ku rebelimi i fëmijës, shkon paralel me pafuqinë e prindit, që ndjehet thuajse i dorëzuar.

Në raste të ngjashme, një rol të rëndësishëm në degradimin e kësaj grupmoshe, luajnë persona më të rritur me të cilët shoqërohen. Dëshira e adoleshentëve për frekuentuar djem dhe vajza më të mëdhenj, është e njohur, dhe me sa duket edhe në këtë rast nuk ka munguar.

Në këtë situatë që ka përfshirë disa familje adoleshentësh, një rol ndihmës duhet të kenë institucionet, që në këtë rast me sa duket nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës.

Nga biseda e nënave me punonjëset e policisë, kuptohet se jemi përballë një situate të përsëritur, e cila vetëm sa rendohet ditë pas dite, duke dalë tërësisht jashtë kontrollit.

Po flasim për djem dhe vajza që janë ende fëmijë, por që fatkeqësisht nuk sillen aspak si të tillë... përkundrazi, jeta dhe veprimet e tyre, për nga agresiviteti, shpeshherë kapërcejnë çdo kufi imagjinate.