Premier League/ Tripletë ndaj Brentford, Manchester City mban nën presion Arsenalin
Manchester City ka marrë një fitore bindëse 3-0 ndaj Brentford në “Etihad Stadium”, duke ngushtuar në vetëm 2 pikë diferencën me Arsenalin kryesues të Premier League.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola regjistroi kështu ndeshjen e 16-të radhazi pa humbje në shtëpi këtë sezon, duke vazhduar presionin mbi rivalët për titull.
Fillimi i takimit ishte i balancuar, me Brentfordin që krijoi rastin e parë serioz pas një hedhjeje anësore të Michael Kayode, por u ndal nga reagimi i portierit Gianluigi Donnarumma.
City reagoi gradualisht dhe rrezikoi disa herë me Jérémy Doku dhe Erling Haaland, por pjesa e parë u mbyll pa gola.
Zhbllokimi erdhi në minutën e 60-të, kur Doku realizoi një gol spektakolar nga krahu i majtë, duke çuar topin në cepin e portës dhe duke ndezur Etihadin.
Më pas, Haaland dyfishoi shifrat me një gol tipik sulmuesi në zonë, pas një aksioni të rrëmujshëm në mbrojtjen e Brentfordit, duke i dhënë qetësi vendasve.
Në fund, Omar Marmoush vulosi fitoren me golin e tretë pas asistit të Haaland, duke e kthyer rezultatin në 3-0.
Me këtë sukses, City rihap plotësisht garën për titull dhe rrit presionin mbi Arsenalin, që tashmë ndien frymën e ndjekjes nga afër.
Brentford, nga ana tjetër, mbetet ende në garë për një vend historik në Europë, ndërsa synon të shkruajë historinë në javët e fundit të sezonit.