Bundesliga/ Leipzig siguron Championsin, garë e fortë për ‘biletën e fundit’
Java e parafundit e Bundesliga dhuroi emocione të mëdha dhe verdikte të rëndësishme në garën për zonën Champions.
Leipzig rikthehet mes më të mirëve të Europës, pasi triumfoi 2-1 ndaj St. Paulit dhe siguroi matematikisht vendin e tretë në renditje.
Skuadra e drejtuar nga Ole Werner zhvilloi një tjetër paraqitje bindëse, duke vulosur rikthimin në elitën e futbollit europian sezonin e ardhshëm.
Fitorja ndezi festën te tifozët e Leipzigut, që shohin ekipin e tyre të rikthehet në Champions League pas një sezoni shumë të fortë në kampionat.
Ndërkohë, supersfida e ditës ishte ajo mes Shtutgartit dhe Leverkusenit, një duel direkt për vendet që të çojnë në Champions.
Miqtë kaluan menjëherë në avantazh me Garcia-n që në minutën e parë, por reagimi i Shtutgartit ishte spektakolar. Ermedin Demirović, Maximilian Mittelstädt dhe Deniz Undav realizuan për vendasit, duke përmbysur gjithçka dhe siguruar një fitore të madhe 3-1.
Me këtë sukses, Shtutgarti mban për momentin vendin e katërt në renditje dhe mbetet favorit për të siguruar një biletë në Champions sezonin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, humbja ishte një goditje e rëndë për Leverkusenin, që zbret në vendin e gjashtë dhe rrezikon seriozisht të mbetet jashtë kompeticionit më prestigjioz europian për klube.