Botërori shkakton debate për arsimin në Meksikë, qeveria paralajmëron mbylljen e shkollave para kohe

Meksika po përjeton ethet e Botërorit 2026, por turneu më i madh i futbollit në planet ka shkaktuar tashmë debate të forta edhe jashtë fushës së lojës.

Ministri i Arsimit, Mario Delgado, njoftoi se viti shkollor mund të mbyllet më shumë se një muaj para afatit zyrtar, duke përmendur si arsye temperaturat ekstreme dhe organizimin e Botërorit.

Deklarata e tij në rrjetet sociale shkaktoi reagime të menjëhershme në opinionin publik, me shumë prindër dhe ekspertë të arsimit që ngritën shqetësime për pasojat që një vendim i tillë mund të ketë tek nxënësit dhe cilësia e mësimit.

Sipas Delgados, disa shtete të vendit po përballen me një valë të fortë të nxehti, ndërsa organizimi i Botërorit kërkon gjithashtu masa të veçanta logjistike dhe sigurie.

“Do ta përfundojmë vitin shkollor më 5 qershor sepse shumë shtete tashmë po përjetojnë temperatura të larta, dhe ekziston edhe çështja e Kupës së Botës”, deklaroi ai për AFP.

Megjithatë, situata mori kthesë vetëm një ditë më vonë. Presidentja Claudia Sheinbaum u tregua më e rezervuar dhe sqaroi se bëhet fjalë vetëm për një propozim, duke lënë të kuptohet se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Pavarësisht hezitimit të presidencës, Delgado vazhdoi të mbrojë publikisht idenë e tij gjatë një eventi në Sonora, duke insistuar se situata klimatike dhe organizimi i Botërorit kërkojnë masa të jashtëzakonshme.

Debati tashmë ka ndezur diskutime të mëdha në Meksikë, ku shumë qytetarë pyesin nëse futbolli duhet të ndikojë drejtpërdrejt në kalendarin arsimor të vendit.