Alphonso Davies mbyll sezonin, në dyshim për Botërorin me Kanadanë

Një goditje e rëndë për Bayernin dhe Kanadanë. Ylli kanadez Alphonso Davies ka mbyllur sezonin para kohe pas dëmtimit të fundit muskulor, duke vënë në pikëpyetje edhe pjesëmarrjen e tij në Botëror.

Lajmi është konfirmuar nga klubi bavarez, i cili bëri të ditur se mbrojtësi i majtë do të mungojë për “disa javë”.

Kjo do të thotë se Davies pritet të humbasë sfidën ndaj Volfsburgut, ndeshjen e fundit të Bundesligës kundër Këlnit, si dhe finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Shtutgartit më 23 maj.

Trajneri Vincent Kompany kishte dhënë sinjale të kujdesshme në konferencën për shtyp, duke deklaruar se ekzaminimet mjekësore do të përcaktonin kohën reale të mungesës së lojtarit.

Ky është një tjetër problem fizik për Davies, i cili ka kaluar një sezon të mbushur me dëmtime.

Pas problemeve muskulore dhe tendosjeve të shumta, mbrojtësi kanadez po përballet sërish me një periudhë rikuperimi në momentin më delikat të sezonit.

Situata shqetëson edhe Kanadanë, që e konsideron Davies si lider absolut për Botërorin e ardhshëm.

Federata kanadeze konfirmoi se është në kontakt të vazhdueshëm me Bayernin dhe stafin mjekësor për të ndjekur nga afër rikuperimin e tij.

“Fokusi ynë është ta ndihmojmë Alphonso-n të rikthehet në formën më të mirë të mundshme para Botërorit”, thuhet në reagimin e federatës kanadeze.

Në Botëror, Kanadaja do të përballet në Grupin B me Bosnje-Hercegovinën, Zvicrën dhe Katarin, ndërsa kanadezët besojnë se mund të surprizojnë dhe të kalojnë fazën e grupeve.