Mourinho del pro Iranit: E meriton të luajë në Botëror
Trajneri portugez, Jose Mourinho, ka dhënë një intervistë të fortë për “Sport Week”, ku ka prekur tema të shumta nga karriera e tij, futbolli ndërkombëtar dhe Kupa e Botës.
“The Special One” foli me nostalgji për periudhën tek Interi dhe Roma.
Ai kujtoi edhe finalen e Conference League 2022 në Tiranë ndaj Feyenoord, ku sipas tij kishte parandjerë se Zaniolo do të shënonte golin e triumfit.
Kur u pyet për futbollistin që mishëron elegancën në fushë, Mourinho nuk hezitoi të përmendte legjendën franceze Zinedine Zidane.
Ai tha se ta shihje “Zizou” në fushë ishte “bukuri e pastër”, edhe pse me humor shtoi se Marco Materazzi mund të zemërohej me këtë deklaratë.
“Emri i parë që më vjen në mendje është Zinedine Zidane. Marco Materazzi mund të zemërohet me mua për këtë, por të shihje Zizou të luante ishte bukuri e pastër”, tha ai.
Në lidhje me Kupën e Botës, Mourinho u shfaq shumë optimist për Portugalinë, duke deklaruar se kombëtarja portugeze ka potencial për ta fituar turneun.
Sipas tij, kjo gjeneratë është edhe më cilësore teknikisht sesa ajo që fitoi Euro 2016.
Ai përmendi gjithashtu si favoritë edhe Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti dhe Argentinën.
Por deklarata që po bën më shumë bujë lidhet me Iranin dhe debatet politike rreth pjesëmarrjes së tyre në Botëror. Mourinho ishte i prerë: “Futbolli dhe politika janë dy gjëra të ndryshme. Futbollistët iranianë e meritojnë të luajnë në Kupën e Botës”.
Në fund, ai theksoi se futbolli duhet të mbetet një arenë sportive ku lojtarët kanë mundësinë të garojnë në nivelin më të lartë, pavarësisht tensioneve politike jashtë fushës.