Premier League/ Chelsea i merr një pikë Liverpoolit në ‘Anfield’
Një super ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund u zhvillua në “Anfield”, ku Liverpooli dhe Chelsea barazuan 1-1 në javën e 36-të të Premier League.
Vendasit e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaluan shumë shpejt në avantazh.
Në minutën e gjashtë, talenti Rio Ngumoha ndërtoi bukur aksionin, ndërsa Ryan Gravenberch realizoi një gol fantastik me një goditje precize në këndin e sipërm për 1-0.
Chelsea reagoi menjëherë dhe nisi të rrezikojë seriozisht portën e vendasve.
Marc Cucurella humbi një rast ideal përballë portierit Giorgi Mamardashvili, i cili bëri një pritje spektakolare për të mbajtur Liverpoolin në epërsi.
Megjithatë, londinezët gjetën barazimin në minutën e 35-të falë magjisë së Enzo Fernández.
Mesfushori realizoi një goditje dënimi perfekte, me topin që preku shtyllën para se të përfundonte në rrjetë për 1-1.
Pjesa e dytë solli edhe më shumë dramë. Cole Palmer mendoi se kishte kaluar Chelsean në avantazh, por VAR-i anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.
Vetëm pak minuta më vonë, edhe Curtis Jones pa golin e tij të anulohej për pozicion jashtë loje.
Liverpooli ishte shumë pranë triumfit në fundin e ndeshjes. Dominik Szoboszlai goditi shtyllën me një super goditje nga distanca, ndërsa kapiteni Virgil van Dijk tronditi traversën me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Pavarësisht rasteve të shumta dhe presionit të madh në minutat finale, rezultati mbeti i pandryshuar.
Një pikë për secilën skuadër në një duel që dhuroi spektakël të vërtetë për tifozët në “Anfield”.