Arsenali në finalen e Championsit, prishen planet e Tuchel për Anglinë në Botëror

Anglia pritet të mos ketë në dispozicion lojtarët e Arsenalit për miqësoren e parë në SHBA ndaj Zelandës së Re.

Declan Rice, Bukajo Saka dhe disa futbollistë të tjerë do të mungojnë në pjesën më të madhe të grumbullimit parapërgatitor për Botërorin.

Kualifikimi i Arsenalit në finalen e Champions League ka detyruar trajnerin Tuchel të ndryshojë planet e tij.

Edhe lojtarët e Aston Vilës mund të ndikojnë në planet e Anglisë pasi kanë arritur finalen e Europa League.

E njëjta situatë është edhe për Dean Henderson, pasi Cristal Palace luan finalen e Ligës së Konferencës.

Përveç Saka dhe Rice, edhe Ebereçi Eze, Noni Madueke dhe Myles Leuis-Skelli shpresojnë të përfshihen në listën përfundimtare të Anglisë me 26 lojtarë.

Finalja e Champions League në Budapest zhvillohet vetëm dy ditë përpara nisjes së grumbullimit të Anglisë, ndaj është e pashmangshme që Tuchel t’u japë lojtarëve të Arsenalit disa ditë pushim shtesë për rikuperim fizik dhe mendor.

Për këtë arsye, Saka, Rice dhe të tjerët pritet të udhëtojnë drejt SHBA-së vetëm pas ndeshjes ndaj Zelandës së Re në “Tampa Bay” më 6 qershor, në mënyrë që të jenë gati për miqësoren e fundit para Botërorit në Orlando më 10 qershor.

Më pas, e gjithë skuadra angleze do të zhvendoset në Kansas City, ku do të vendoset baza e saj gjatë turneut.

Një avantazh për Anglinë është fakti se ndodhet në Grupin L të Botërorit dhe ndeshjen e parë do ta luajë më 17 qershor ndaj Kroacisë, gjashtë ditë pas nisjes së turneut.