Po për çfarë 9 Maji flisni, kur kërcet dhuna talebane e Ramës në mes të sheshit!

Nga Petrit Vasili

Siç e do zakoni, në 9 Maj shpërthen një lumë analizash, vlerësimesh, aktivitetesh e postimesh nëpër të gjithë llojet e sojet e rrjeteve sociale, shkurt një pandemi e vërtetë logoreje për demek ëndrrën europiane.

Gjithashtu edhe qeveria e përfaqësuesit e BE-së lëshohen nëpër ceremoni jubilare, njëra më e shpifur se tjetra, ku shpërthejnë përrenj hipokrizie me tonelata, ku violinë e parë është gjithmonë kryellafazani, kryedemagogu dhe antidemokrati më i madh, Edi Rama.

Flitet për rrugën drejt Europës, flitet për gjithëfarë të drejtash të sofistikuara, ndërkohë që të drejtat më bazike dhunohen egërsisht në mes të ditës, në mes të Tiranës, në mënyrën më të përgjakshme të mundshme.

Pak orë më parë, me urdhër të Edi Ramës, në mes të Tiranës një protestë normale e opozitës dhunohet egërsisht dhe në mënyrë mafiozisht armiqësore nga policia e kriminalizuar, ndërsa këta na flasin për 9 Majin, e për integrim në Europë, e për lesh e presh dhe bëjnë edhe ca humore të pështira në aktivitetet e BE-së në Tiranë, por që janë show të porositura të Ramës për të treguar se çdo gjë është normale në narkoshtetin e tij.

Asnjë aktivitet nuk mund dhe nuk duhej të organizohej dhe Edi Rama duhej të bojkotohej si një kryeministër që ndërsen naziskinë polici me dhe pa uniformë, që dhunojnë qytetarët protestues vetëm se reagojnë ndaj vjedhjeve monstruoze të qeverisë së tij.

Po ç’lidhje ka Rama me 9 Majin?

Rama s’ka asnjë, po asnjë fare dhe as që ka lidhjen më të vogël me Europën dhe vlerat themelore bazike që kanë formësuar BE-në.

Rama mund të kryejë fare mirë integrimin drejt talebanizmit afgan apo integralizmave të çdo lloji, që legjitimojnë një kapo kriminel të një shteti brutal dhe sanguinar, që shtyp çdo qytetar që kërkon lirinë dhe evokon të drejtat.

Ndaj 9 Maji s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë e plaçkitur, e talebanizuar dhe të shpërbërë nga Edi Rama.

Turp për europianët, që ndërsa në vendet e tyre ngrenë dynjanë në këmbë për edhe më të voglin cenim të lirive, ndërkohë në Shqipëri shohin monstruozitete antidemokratike dhe bëjnë sikur gjithçka është normale.

Ndaj lëreni 9 Majin rehat dhe shihni realitetin, sepse ndërsa bota u çlirua nga nazizmi gjakatar 81 vjet më parë, Shqipëria e sotme është nën thundrën e një nazizmi politik dhe antidemokratik, që po shpërbën vendin e po zhduk çdo të drejtë dhe ia ka dhuruar shtetin narkotrafikantëve dhe çdo interesi të errët antishqiptar.